Ky është kosovari i vetëm që do të garojë në lojërat olimipike në skijim

Ky është kosovari i vetëm që do të garojë në lojërat olimipike në skijim

“Në përgjithësi, shqiptarët janë krenarë dhe unë besoj t’i bëjë krenarë edhe me paraqitjen time në Lojërat Olimpike”, ka thënë Albin Tahiri për Insporti

Albin Tahiri është vetëm njëri nga sportistët kosovarë që ka lindur në vendet tjera, por që fati ka dashur që Kosovën ta përfaqësojë në ngjarje të mëdha sportive. I lindur në Slloveni, ku jeton edhe aktualisht, Albini i është përkushtuar skijimit dhe sivjet do ta bartë flamurin e Kosovës në parakalimin e vendeve pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike Dimërore, të cilat nga 9-25 shkurt do të mbahen në PyeongChang të Koresë Jugore.

Momenti më i rëndësishëm i karrierës

Tahiri shprehet i kënaqur dhe i emocionuar për rastin që i është dhënë. “Që nga edicioni 2008/2009 unë kam garuar për Kosovën dhe që nga atëherë kam ëndërruar të jem pjesë e Olimpiadës”, shprehet Tahiri për Insporti, duke shtuar: “E kisha plotësuar normën edhe për Vankuver në vitin 2010 dhe  më vonë në Sochi, por atëherë Kosovës nuk i lejohej pjesëmarrja.

Sidoqoftë, ishte vetëm çështje kohe që kjo ëndërr të bëhet realitet dhe më fund po ndodh. Kjo ka shumë rëndësi për mua, sepse kam pritur tërë jetën për këtë moment. Është gjëja më e mirë që më ka ndodhur dhe do të jetë ngjarja më e rëndësishme në karrierën time”.

Në prag të fillimit të Olimpiadës, ai vlerëson se është përgatitur mirë dhe shpreson në paraqitje të suksesshme. “Mendoj se jam përgatitur  mirë. Kam pasur gara dhe stërvitje në Slloveni, Austri, Itali dhe Zvicër. Në këtë drejtim më ka përkrahur Komiteti Olimpik i Kosovës që më ka dhënë një bursë si dhe Federata e Skitare e Kosovës me pajisjet e nevojshme. Dua t’i falënderoj për përkrahjen, por edhe besimin që kanë pasur tek unë“, ka theksuar Tahiri, duke njoftuar se ka pasur edhe një aktivitet të përbashkët me skitarët tjerë kosovarë, në një garë në Krvavec të Sllovenisë, nën drejtimin e trajnerit Agim Pupovci.

Me gjithë konkurrencën e madhe, Albini beson që mund të arrijë rezultate të kënaqshme. “Është e qartë se konkurrenca është shumë e fortë, por sportit nuk i dihet. Unë do të jap më të mirën time dhe besoj të arrij ndonjë rezultat të mirë, që do ta bënte krenar Kosovën. Lëshimi dhe kombinimi alpin janë disiplinat e mia të preferuara dhe këtu pres të paraqitem më mirë“, është shprehur 28-vjeçari Tahiri.

Krenar me origjinën

Albini nuk ka hezituar të flasë edhe për origjinën e tij. “Babai im është lindur në fshatin Gllogoc të Komunës së Lipjanit, ndërsa nëna ime është sllovene. Kemi të afërm kudo nëpër Kosovë dhe vendin e vizitojmë sa herë që kemi mundësi. Gjatë kohës kur situata nuk ishte e mirë, nuk kam qenë në Kosovë për tetë vjet me radhë, por tani që Kosova është e lirë, një ose dy herë në vit jam në Kosovë“, tregon Albini për Insporti.

Ai shprehet shumë i kënaqur me mënyrën se si e kanë pritur në Kosovë. “Njerëzit janë shumë të mirë dhe të afërt. Kam filluar të flas shqip dhe të mësoj nga pak për kulturën shqiptare. Ka raste kur nuk i kuptoj mirë, por të gjitha i kalojmë me dashamirësi dhe me shaka. Në përgjithësi, shqiptarët janë krenarë dhe unë besoj t’i bëjë krenarë me paraqitjen time në Lojërat Olimpike”, ka thënë Albin Tahiri në fund.

Shpërndaje në: