Reagon KF Skënderbeu, pas lajmit se u dënuan me 10 vite nga UEFA

Reagon KF Skënderbeu, pas lajmit se u dënuan me 10 vite nga UEFA

Pas raportimeve se Skënderbeu do të dënohet nga UEFA me 10 vjet përjashtim nga garat evropiane dhe 1 milion euro gjobë për trukime, ka reaguar klubi korçar.

Skënderbeu thotë se aktualisht nuk ka asnjë veprim nga trupat gjykuese të UEFA-s rreth kësaj çështje.

“Duke marrë shkas nga lajmet më të fundit të publikuara sot në mediat sportive mbi ekzistencën e vendimit të UEFA-s për dënimin e klubit të Skënderbeut, Klubi i futbollit ‘Skënderbeu’ dëshiron te informoje opinionin publik, se nuk ka aktualisht ndonjë vendim të trupave gjykuese, disiplinore të UEFA-s për klubin e Skënderbeut”, thotë klubi korçar përmes faqes zyrtare.

Skënderbeu më tutje thotë se, “dokumenti i publikuar nuk është aspak vendimi përfundimtar, por kërkesa për gjykim e inspektorëve të disiplinës së UEFA-s, drejtuar trupës së apelit, të komisionit të disiplinës dhe etikës në UEFA. Duam të qartësojmë se ky është një apelim i inspektorëve ndaj vendimit të marrë pothuajse dy vite me parë ndaj Skënderbeut në bazë të nenit 34(3) të statutit të UEFA-s dhe jo një çështje e re kundër klubit”.

Klubi shqiptar shton se kjo është një çështje disiplinore në proces, për të cilën ende nuk është sqaruar asnjë seancë dëgjimore, ndërsa është optimistë se kjo çështje do të mbyllet me sukses.

“Kjo procedurë është konform nenit 29/3 të kodit të disiplinës së UEFA-s, gjithashtu ju bëjmë me dije se kemi të bëjmë me një çështje disiplinore në proces për të cilën nuk është caktuar ende një seancë dëgjimore. KF Skënderbeu është njohur me kohë me këtë akuzë të inspektorëve të disiplinës. Sektori juridik i KF Skënderbeu po ndjek procedurat e nevojshme juridike për çështjen në fjalë dhe shprehim sigurinë tonë që çështja do të mbyllet me sukses”, thuhet në shkrimin e Skënderbeut.

Shpërndaje në: