Paguhet klauzola e Griezmann

Paguhet klauzola e Griezmann

Sulmuesi francez Antoine Griezmann, qysh në afatin kalimtarë të verës së kaluar u bë pjesë e shumë lajmeve e spekulimeve, për një largim të tij të mundshëm nga Atletico Madrid.

Verën e kaluar ishte Manchester United ekipi që u përfshi në sagën e spekulimeve për transferimin e sulmuesit francez, kurse sipas disa raportimeve të ditëve të fundit, thuhet se Griezmann veçse ka arritur marrëveshje me një skuadër për një kalim gjatë verës.

Bëhet fjalë për gjigantin katallan, ekipin e Barcelonës, e cila thuhet se ka pranuar të paguaj 100 milionë euro për sulmuesin francez dhe sipas të njëjtave burime të shtypit spanjoll, janë arritur po ashtu edhe kushtet e marrëveshjes në mes lojtarit dhe Barcelonës.

Thuhet se trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, është një adhurues i madh i francezit, të cilin e ka vështruar nga distanca tash e gati dhjetë vite, prej se Griezmann luan në LA Liga.

Po ashtu sipas gazetës katalonase “Sport”, thuhet se edhe drejtuesit e Barcelonës kanë një simpati të veçantë për sulmuesin francez dhe do të ishin më se të gatshëm që ta paguajnë shifrën prej 100 milionë euro të kërkuar nga Atletico Madrid, në mënyrë që ta sjellin Griezmann në “Camp Nou”.

Përpos kësaj, edhe nga ana e lojtarëve të Barcelonës nuk ka ndonjë refuzim për transferimin e Griezmann dhe lojtarët si Lionel Messi, Andres Iniesta, Gerard Pique dhe të tjerët, janë të gatshëm ta mirëpresin me gjithë dëshirë francezin, i cili ashtu kështu ka raporte shumë të afërta miqësore me qendër mbrojtësin e Barçës, Samuel Umtiti.

Antoine Griezmann momentalisht po kalon një formë shumë të mirë dhe shënoi “poker” prej katër golave në fitoren e djeshme të Atletico Madrid kundër Leganes me rezultat 4-0, në kuadër të javës së 26-të të LA Ligës spanjolle.

Kurse, këtë të diele në “Camp Nou”, Griezmann do të jetë i pranishëm me Atletico Madrid, i cili përballet me Barcelonën, në një ndeshje shumë të rëndësishme, pasi diferenca në mes Barçës në vendin e parë dhe “Los Colchoneros” që pozicionohet e dyta, është vetëm 4 pikë, megjithëse Barcelona ndeshjen e xhiros së 26-të e zhvillon sonte.

Shpërndaje në: