Ky yll i Shqipërisë kushton tre herë më shumë sesa skuadra e Lihtenshtajnit
Së pari, kuqezinjtë janë të 40’ët në klasifikimin e FIFA’s, ndërsa rivalët modestë të 182’tët. Në ndeshjen e parë, përfaqësuesja e drejtuar nga trajneri Rene Pauritsh pësoi një humbje 8:0, çka konfirmon edhe formën e dobët që po kalojnë, ndonëse përballë kishin gjigantët e Spanjës.
Madje, vlera e futbollistëve që do të zbresin në fushë për ekipin vendës është mjaft modeste krahasuar me Shqipërinë. Saktësisht, e gjithë skuadra kap një çmim total prej 5 milionë eurosh. Prej tyre kryeson mesfushori Marsel Bushel (2 milionë euro), i cili aktivizohet në Itali me skuadrën e Empolit, duke qenë shok skuadre me Frederik Veselin.
Pas tij, vijnë mesfushorët e tjerë Sandro Vieser dhe Nikolas Hasler, respektivisht me 1 milion dhe 700 mijë euro vlerë kartoni, referuar uebsajtit “transfermarkt”. Sipas të njëjtit burim, kartoni i Elseid Hysajt ka një çmim tregu prej 15 milionë eurosh, saktësisht trefishin e të gjithë organikës së kundërshtarit në mbrëmjen e sotme, shkruan Panorama Sport.
Mbrojtësi i Napolit është një prej futbollistëve më të kërkuar në tregun Evropian, ku klubi italian ka pranuar se nuk e shet as për dyfishin e çmimit të vlerësuar. Në vendin e dytë dhe të tretë te Shqipëria pozicionohen Taulant Xhaka me Etrit Berishën, respektivisht me 4 dhe 3.5 milionë euro.




