Real Madridi rigjen fitoren me një super Ronaldo

Real Madridi rigjen fitoren me një super Ronaldo

Real Madridi është rikthyer te fitorja duke e mposhtur 3-1 Getafen të shtunën mbrëma në Madrid, me Cristiano Ronaldon që përsëri realizoi një dy golesh.

Në fakt, ishte Gareth Bale ai që i kaloi madrilenët në epërsi pas 24 minutave lojë, në një ndeshje të zhvilluar në “Santiato Bernabeu” në kuadër të javës së 27-të të La Ligës.

Pas një dominimi të plotë, ishte portugezi Cristiano Ronaldo ai që shënoi për 2-0 para se skuadrat të shkonin në pushim mes pjesëve.

Gjërat u bënë shumë më të vështira për mysafirët kur Remy mori kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja më të filluar pjesa e dytë.

Megjithatë, Getafe s’u dorëzua dhe e ngushtoi epërsinë në minutën e 65-të përmes Portillo nga penalltia.

Rreth 10 minuta para fundit, Ronaldo ua shoi shpresat Getafes duke realizuar golin e tretë për Realin dhe të dytin personal në këtë ndeshje.

Reali tani ka 54 pikë në vendin e tretë, 12 më pak se lideri Barcelona, e cila ka një lojë më pak të zhvilluar.

Në anën tjetër, Getafe mbetet aty ku ishte, në vendin e 10-të me 36 pikë.

 

Shpërndaje në: