Dua Lipa përqeshet për shkak të fjalës “babi”

Dua Lipa përqeshet për shkak të fjalës “babi”

Këngëtarja e njohur Dua Lipa është përqeshur në rrjetet shoqërore në Malajzi, pasi ajo kishte përdorur fjalën “babi”, duke iu referuar babait të saj.

Lipa kishte postuar një mesazh urimi për ditëlindjen e babait të saj në Instagram, “Happy Bithday babi, I wish I was home to give you a big hug and kiss” (Urime ditëlindja baba, do të doja të isha në shtëpi për të të dhënë një të puthur dhe përqafim të madh”.

Sidoqoftë, 23-vjeçarja ka ndërruar postimin në “Happy Birthday Dad”, pasi ishte përqeshur për shkak të fjalës “babi”, e cila në gjuhën Bahasa Malajzia do të thotë derr.

Komentues të tjerë nga Malajzia i kanë dalë në mbrojtje këngëtares, duke i kërkuar që të mos e ndërrojë fjalën babi nga gjuha shqipe në atë angleze, pasi është e drejtë e saj të përdorë gjuhën amtare.

Madje, disa prej tyre thanë se ndihen të turpëruar nga bashkëkombësit e tyre që përqeshën këngëtaren pa fajin e saj.

“Unë ndihem shumë i turpëruar që jam malajzian tash” shkruan një përdorues në Instagram.

“Dua Lipa, më vjen keq për atë që ka ndodhur. Ka disa njerëz në këtë botë që nuk dinë t’i respektojnë të tjerët. Ne të duam. Nuk ke nevojë të ndryshosh gjuhën tuaj, pasi ajo është e bukur”, shkruan një komentues tjetër, duke kërkuar nga Dua Lipa që të injorojë fyerjet.

Dua Lipa u bë e njohur në skenën muzikore botërore me hitin “New Rules” që u rendit numër 1 në Britaninë e Madhe, në vitin 2017.

Ajo po ashtu ka fituar çmimet British Female Solo Artist dhe British Breakthrough Act, transmeton KosovaPress.

Lipa do të performojë në Kuala Lumpur të Malajzisë më 3 maj, ndërsa më vonë do të mbajë koncert edhe në Kosovë.

Shpërndaje në: