Xhaferi mund ta dekretojë Ligjin e gjuhëve sikurse Tito Petkovski më 1997
Pasi që Ligji i gjuhëve u miratua në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë në lexim të tretë, dekretin e të njëjtit pas miratimit sipas Kushtetutës dhe ligjeve është i detyruar që ta nënshkruaj menjëherë presidenti i shtetit dhe i njëjti të shpallet në Gazetën Zyrtare, shkruan Zhurnal.
Edhe pse është kështu sipas Kushtetutës, presidenti Gjorge Ivanov refuzon të nënshkruaj ligjin në fjalë dhe nga këtu lindin edhe dilemat, se cili do të jetë fati i ligjit të miratuar me shumicë votash të deputetëve.
Në një situatë të tillë është ndodhur edhe përbërja parlamentare në vitin 1997, atëherë kryetari i Parlamentit Tito Petkovski ka qenë në një situatë të ngjashme si kjo në të cilën ndodhet sot kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi dhe është dashur të nënshkruajë vetë dekretin për një ligj të cilin për shkak të mungesës nuk mundi ta nënshkruajë presidenti i atëhershëm i Maqedonisë, Kiro Gligorov.
Fjala është për dekretin nr.08-2308/1 të dt. 08-korrik-1997 ,,Gazeta zyrtare e RM-së nr.32/1997,, i cili kishte të bënte me shpalljen e Ligjit për përdorimin e flamujve përmes së cilave pjesëtarët e nacionaliteteve në Republikën e Maqedonisë e shfaqin identitetin e vetë dhe veçoritë nacionale. Ky dekret është firmosur pesë minuta para orës 24 të datës 8 korrik 1997, ndërsa herët në mëngjes ishte botuar në ‘Gazetën Zyrtare’ për të realizuar krimin shtetëror më datën 9 korrik, në Gostivar.
“Pra, atë natë kryetari i shtetit “sipas planit” ishte në udhëtim zyrtarë jashtë shtetit dhe kryetari i Kuvendit në dekret si arsye potencon paragrafin 3 të nenin 82 të Kushtetutës, kur kryetari i shtetit qenka i penguar për ta zbatuar detyrën. Megjithatë, së bashku me ligjin në fjalë edhe ky dekret pas iniciativave në Gjykatën \kushtetuese kundër këtij ligji (ndër ta edhe VMRO-DPMNE) u anuluan nga Gjykata Kushtetuese me vendim nr.141/97 dhe nr.146/97 si antikushtetuese”, thotë për Zhurnal, Qenan Aliu, jurist.
Ai thekson se sipas precedentëve me të cilat disa ekspertë maqedonas e arsyetojnë vendimin e presidentit për mosnënshkrimin e Dekretit tani për shpalljen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ja ky është një precedent për të cilën këta ekspertë maqedonas do të duhet ta arsyetojnë një veprim eventual të kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.
“Për dallim nga atëherë që me këtë precedent u vranë dhe u rrahën brutalisht shqiptarët në Gostivar, tani fjala është për një rast ku presidenti i vendit refuzon të zbatojë detyrimin eksplicit kushtetues. Ligji në këtë fazë në asnjë mënyrë nuk mund të kthehet prapa, sistemi duhet të funksionojë, ligji duhet të shpallet, e pastaj është çështje tjetër se si do të vlerësojë Gjykata Kushtetuese, edhe pse mund të prejudikohet një epilog, sepse gjërat janë komplikuar, jam shumë i bindur se komplikimi është bërë me një sinkronizmi të protagonistëve”, nënvizon Aliu.
Sipas tij, ky është një moment se Maqedonia ka nevojë për një kushtetutë të re, në të kundërtën, nëse nuk sanksionohet presidenti shkelës i kushtetutës, atëherë secili president do të mundet të keqpërdorë veton absolute (të pa qenë ) dhe të drejtat e shqiptarëve të mbeten të ngulfatura në veton e xhepit të tij.



