“Mos janë pica?” – provokimi i Enver Hoxhajt ndaj deputetëve të VV-së për peticionet
Sot gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në formë simbolike servuan pranë ulëses së kryeministrit Ramush Haradinaj peticionin me mbi 200 mijë nënshkrime të qytetarëve të Kosovës.
Këtë e bënë si simbolikë përkujtimi për Haradinajn, i cili sa ishte në opozitë e kundërshtonte ashpër marrëveshjen, por sot si kryeministër ai bën thirrje për votimin e po të njëjtës marrëveshje, me bashkangjitjen e një deklaratë të presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi, që s’përbën obligime juridike, shkruan Periskopi.
Deputeti i VV-së Rexhep Selimi tregoi se çfarë u kishte thënë zëvendëskryeminsitri Enver Hoxhaj deputetëve të VV-së kur ata i dërguan peticionet te kryeminstri.
Me cinizëm, sipas Selimit, Hoxhaj kishte pyetur nëse peticionet ishin pako picash.
“Ju dukën si pako picash, kështu më tha. A janë pica?”, tha Selimi.
“Nuk e di si i duket atij, por këto janë peticionet e 200 mijë qytetarëve, jo pako picash.”
Selimi tha se e kupton faktin se PDK-ja e përkrah marrëveshjen, meqenëse këtë qëndrim e mbante që nga fillimi, por tha se nuk e kupton AAK-në e Nismën Socialdemokrate që kanë ndryshuar qëndrim pas ardhjes në pushtet. /Periskopi/




