Bektashianët e Kosovës festojnë Sulltan Nevruzin
Në teqen Rufai të Prizrenit sot në mënyrë tradicionale u kremtua festa e Sulltan Nevruzit, e cila njihet si ditëlindja e Hz. Aliut.
Adri Husein Shehu, i cili është shehu i teqes Rufai, tha se edhe këtë vit sikurse çdo vit tjetër e kremtojnë ditën e Sulltan Nevruzit, duke uruar një vit të mirë, me bereqet dhe lumturi. Ai po ashtu uroi që ky vit të sjellë lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës.
Dhjetëra besimtarë bektashianë nisën këtë rit me rrotullime karakteristike të festës ku përmes këndimeve të lutjeve bëhet thirrje për begati dhe paqe. Gjatë kësaj ceremonie u lexua edhe mevlud.
Sulltan Nevruz nga gjuha persiane do të thotë Ditë e Re dhe është festë tradicionale e lashtë iraniane, që konsiderohet si dita e parë e vitit dhe njihet si festë e cila shënon ditën e pranverës. Festa e Nevruzit kremtohet edhe në vende të tjera në botë.
Kjo ceremoni mbahet çdo vit në Prizren, në jug të Kosovës. Bektashinjtë formojnë një pjesë të vogël të popullësisë së Kosovës.




