Reagon FHK pas ngjarjeve që ndodhën në Serbi: Krenar me Kosovën! (Video)
Jemi të zhgënjyer me ndërhyrjen e qeverisë së Serbisë për kalkulime e manipulime politike, për anulimin e turneut, por në të njëjtën kohë jemi krenar pasi Kosova fitoi një përvojë të re
Kështu u shpreh kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, menjëherë pasi Përfaqësuesja e Kosovës U20 në hendboll në konkurrencën e femrave, u kthye në Kosovë të shtunën në mbrëmje, raporton KTV.
Për ta vazhduar kapanjën e kualifikimeve për Kupën e Botës 2018 në hendboll për ndeshjet e mbetura për grupmoshën U20, i pari i federatës së hendbollit, i ka ofruar Federatës Evropiane të Hendbollit zhvillimin e ballafaqimeve në Prishtinë, kundër Norvegjisë e Sllovakisë, por kjo nuk ka qenë e mundur.
Kryetari Saraçini shtoi më tej se për moshën e kësaj grupmoshe, ka pasur presion shumë të madh, pasi në vendin ku kanë qenë të vendosura vashat e Kosovës, ka pasur të pranishëm më shumë policë se sa sportistë.
E nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci, i përgëzoi vashat e reja për qëndrimin dhe vendosshmërinë për paraqitje sa më të mirë.
Në konferencën për shtyp ishte edhe përzgjedhësi Faruk Shala. Ai tha se misioni i përfaqësueses U20 të hendbollit te femrat, ka qenë paraqitja sa më e mirë, dhe se për këtë ishin të përgatitur në maksimum.
Ndërkohë, kapitenia Pranvera Ferataj, foli për rrugëtimin por edhe për ndikimin e forcave të sigurisë te ato.
Edhe pse turneu u mendua të zhvillohej pa praninë e simboleve shtetërore, tifozë e media, kryetari dhe sekretari u shprehën të lumtur për një fakt tjetër.
Sa u përket ndeshjeve të mbetura, kryetari Saraçini tha se ende nuk dihet se ku ose kur do të zhvillohen pasi nuk është marrë ndonjë vendim zyrtar, e të njëjtën përgjigje KTV-ja e mori edhe nga Thomas Schoneich, zyrtar për media, për garat e përfaqësueseve në Federatën Evropiane të Hendbollit.
Por, tani nga tre shtetet e mbetura, secili mund të bëhet nikoqir i garës, ka shtuar i pari i FHK-së.



