Anel Rashkaj: S’ka profesionalizëm në Kosovë, 80 përqind e klubeve e bëjnë këtë gabim! (Foto)

Anel Rashkaj: S’ka profesionalizëm në Kosovë, 80 përqind e klubeve e bëjnë këtë gabim! (Foto)

Anel Rashkaj erdhi me shumë bujë te Prishtina verën e kaluar, por ai u largua pas vetëm 2 muajve në drejtim të Suedisë

Ish-kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës ka zbuluar gjithçka sa i përket aventures me Prishtinën, ndërsa tani është kapiten i klubit suedez AFC Eskiltuna.

Në një intervistë ekskluzive për ‘Periskopin’ Rashkaj zbulon shumë gjëra interesante rreth aventurës së shkurtër që e kishte me Prishtinën dhe ambiciet me klubin e tij të ri.

“Në Prishtinë çka të them, ishte periudhë ku kam marr vendime të ngutshme, edhe para se te vija në Kosovë edhe kur u largova më pas,” ka thënë Rashkaj për Periskopin.

“Thjesht nuk ishte koha e duhur për t’u rikthyer në Kosovë, por njeriu mëson nga gabimet. Dua të them që nuk kam pasur probleme me askënd, por e kisha vështirë që të adaptohesha në Superligën e Kosovës.

Më tutje ish-mesfushori i Përfaqësueses zbulon se sa larg profesionalizmit është futbolli kosovar.

“Duhet shumë punë në Kosovë, mendoj që mentaliteti është larg profesionalizmit, poashtu kjo nuk është ndonjë kritikë, por thjeshtë e them qysh është. Nëse dikush më thotë ‘Anel je lojtar i mirë, por i ngadalshëm’ atëherë i çoj duart lartë dhe e pranoj. Kështu duhet të veprohet edhe në Kosovë.

Se sa shumë mungon profesionalizmi në Kosovë, Rashkaj merr shembull ndërrimin e shpeshtë të trajnerëve.

“Si ka mundësi të ndërrohen nga dy apo tre trajner në të njejtën skuadër. Kjo ndodhë te 80 përqind e klubeve në Superligë. Kjo nuk është në rregull!

Por, ai nuk la pa e falenderuar Remzi Ejupin për të cilin ka respekt të madh.

“Më vjen keq për Remzi Ejupin i cili u tregua shumë korrekt, por ndoshta ai nuk kupton shumë nga futbolli. Ai duhet që të ketë afër vetës më shumë njerëz që e kuptojnë futbollin,”.

Rashkaj edhe pse nuk është më pjesë e Superligës vazhdon ta përcjellë kampionatin dhe beson që Prishtina ose Drita do të shpallen kampion në fund.

“Po e përcjelli kampionatin, mendoj që Prishtina dhe Drita janë favoritët kryesor, edhe pse nuk mendoj që ka ndonjë ekip që tregon ndonjë lojë të mirë, por nuk kanë faj pasi në ato fusha është e pamundshme me tregu diçka ma shumë,”.

27-vjeçari nga Prizreni është kapiten i AFC Eskiltuna, ndërsa flet për ambiciet e klubit që bën gara në Ligën e Dytë suedeze.

“Liga këtu është shumë e fortë dhe ka shumë ekipe që luftojnë për të hyrë në Superligë. Ne do të shohim nëse do të jemi kandidat për t’u rikthyer aty përsëri,”.

Sa i përket Përfaqësueses së Kosovës Rashka ka thënë se nuk ka pasur ndonjë kontakt me trajnerin e ri Bernard Challandes. /Periskopi/

Shpërndaje në: