Gattuso: Nuk duhet të gabojmë në derbi
Gennaro Gattuso është shprehur se derbi ndërmjet Milanit dhe Interit do të jetë mjaft vendimtar dhe nuk duhet bërë ndonjë gabim, nëse duan të luajnë vitin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve.
Derbi i cili do të zhvillohet sonte do të jetë mjaft i rëndësishëm për të dy skuadrat milaneze, kjo pasiqë dy skuadrat janë duke luftuar për një vend në Champions League, transmeton KosovaPress.
Gattuso mbajti konferencë për shtyp para derbit duke deklaruar se duhet të kenë kujdes.
“Derbi nuk është fituar gjithmonë nga ekipi më i mirë. Ne duhet t’i bëjmë gjërat sikur ishim duke i bërë, ata kanë luajtur vërtet mirë në 3-4 ndeshjet e fundit dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos i lejojmë shumë hapësire atyre. Ne duhet të luajmë një ndeshje të mirë si nga pikëpamja teknike, taktike dhe defensive”, tha ai.
“Ka ndryshuar Interi në dy tre javët e fundit, ata kanë shënuar 10 gola dhe nuk kanë pësuar asnjë. Ne duhet të bëjmë mirë, të entuziazmojmë tifozët, duhet të interpretojmë ndeshjen në mënyrën e duhur. Stadiumi do te jetë i mbushur plot” përfundoi deklaratën trajneri Gattuso.



