Kosova ende pa ministër të Punëve të Brendshme
Shkarkimi i Flamur Sefajt nga pozita e ministrit të Brendshëm, e ka lënë këtë institucion pa lider. Përkundër se po bëhen një javë që nga Sefaj u largua zyrtarisht nga posti i tij, ende nuk ka ndonjë emër që do ta zëvendësojë.
Diskutimet për emrin e ri të ministrit të Brendshëm pritet të intesifikohen nga nesër.
Të paktën kështu ka thënë Vesel Makolli, sekretar i AKR-së.
Makolli ka thënë se deri më tani nuk ka pasur diçka konkrete. Kjo për shkak të vikendit, dhe ditët e festave.
“Pacolli ka ardhu të premten, dhe është marrë me punët e tij pasi është ministër i jashtëm. Ka qenë një vikend më i zgjatur për shkak të festave, dhe nuk ka pasur diçka konkrete. Prej nesër mund të ketë diçka”, ka thënë Makolli për lajmi.net
Ditë më parë zëdhënësja e qeverisë, Donjeta Gashi kishte thënë për lajmi.net se deri të caktohet ministri i ri, punët do t’i kryejë zv/ministri.
Ajo kishte thënë se caktimi i emrit të ri për ministër të brendshëm është në dorën e partnerëve të koalicionit.
“Sa i përket Ministrisë së Punëve të Brendshme është çështje për të cilën partnerët e koalicionit vendosin dhe derisa të vendosin, këtë funksion e kryen zëvendësministri”, kishte thënë Gashi.
Shkarkimi i Flamur Sefajt nga ministri i Brendshëm kishte ardhur pas deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova.
Veç Sefajt, ishte shkarkuar edhe shefi i AKI-së, Driton Gashi.



