‘Bild’ vajton penalltinë e padhënë për Bayernin: Si ka mundësi që gjyqtarët nuk e panë?
Gazeta gjermane “Bild” nuk arrin të shpjegojë dot se si 3 arbitra të ndeshjes Real Madrid-Bayern Munchen nuk e panë dot prekjen e topit me dorë brenda në zonë nga ana e Marcelos, në sekondat e fundit të pjesës së parë.
Vetë Marcelo u tregua i sinqertë në deklaratën e tij pas ndeshjes: “E preka topin me dorë, ishte 11-metërsh. Do të gënjeja po të thosha të kundërtën. Arbitri nuk e dalloi, por unë e preka topin më dorë. Ishte penallti. Futbolli i tillë është. Nuk dëshiroj të flas për arbitrat, por ndonjëherë gabojnë në favor e herë të tjera kundër”.
Ndeshja Real-Bayern përfundoi me rezultatin 2-2 dhe madrilenët arritën finalen e tretë radhazi në Champions League.



