Kryetari i KOK-ut: Nuk mjafton vetëm dënimi për Serbinë, duam edhe kompensim për karateistët kosovar (Foto)
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka thënë se pret që Serbia të dënohet nga Federata Botërore dhe Evropiane e karatesë për bllokimin që u bëri karateistëve kosovarë për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të mbajtur këtë muaj në Novi Sad.
Në Interaktiv të KTV-së, Hasani ka thënë se veprimi i Serbisë, që nuk lejoi kosovarët të hyjnë në shtetin serb për të marrë pjesë në Evropian, është i dënueshëm me çdo akt normativ të Federatës Botërore dhe Evropiane.
“Përtej dënimit më intereson edhe kompensimi që t’iu bëhet karateistëve. E kanë humbur shansin që të marrin pjesë në Kampionatin Evropian. Pjesëmarrja për një sportist aty është e rëndësisë shumë të madhe. Ka pas rëndësi edhe për Lojërat Olimpike”, është shprehur Hasani.
Ai ka thënë se pala kosovare ka deponuar të gjithë përshkrimin e ngjarjes dhe Hasani pret që të merren masa ndaj Serbisë.

Sipas Hasanit, Kosova vazhdimisht ka përkrahjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe se në shumë raste arrihen marrëveshje që lehtësojnë pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në aktivitetet që mbahen në shtetet që s’e njohin Kosovën.
Hasani ka thënë po ashtu se Kosova pret që të ketë më shumë sportistë pjesëmarrës në Lojërat e ardhshme Olimpike “Tokio 2020”.
“Shpresoj që të kemi më shumë sportistë me normë olimpike. Edicionin e kaluar patëm tri norma olimpike, por dy udhëtuan sepse Distria ishte në kategorinë e njëjtë me Majlindën dhe u përcaktuam që ajo të marrë pjesë. Gjashtë të tjerë ishin të ftuar. Pres tash së paku katër-pesë me normë olimpike. Dikush nga karateja, dikush nga boksi e tre apo katër nga xhudoja. 19 sportistë janë që u ndihmojmë me bursa e edhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Hasani ka thënë se Kosova së shpejti do të ketë suksese edhe në sportet kolektive dhe jo vetëm në ato individuale.




