Parashikim | Salah-Ronaldo, njëri do të turpërohet sonte
Sonte zhvillohet finalja e Ligës së Kampionëve mes Real Madridit dhe Liverpoolit, dy ekipe që në ligat nacionale respektive nuk është se e bënë namin, transmeton Periskopi.
Real Madridi jo që doli prapa rivalit të madh, Barcelonës, por mbeti prapa edhe rivalit lokal Atletico Madridit. Ndërkohë që Liverpooli, megjithëse e eleminoi nga Championsi Manchester Cityn, në Premier Ligë ishte dukshëm më i dobët. Skuadra e Klopp ishte më pak konsistente madje edhe se Manchester United-i dhe Tottenhami.
Sidoqoftë, forma në ligë për Real Madridin flet pak. Skuadra e udhëhequr nga Zinedine Zidane që nga fillimi dukej e çinteresuar për të fituar Ligën e Spanjës, me fokusin të zhvendosur në Ligën e Kampionëve – ku sot e kanë mundësinë të bëjnë historinë, duke e fituar trofeun për herë të tretë me radhë, si askush tjetër.
Forma në ligë e Liverpoolit ndërkohë, krahasuar me vitet e kaluara dukej e përmirësuar. Por, ajo ndjell dyshime të mëdha për një përballje të denjë me gjigantin spanjoll.
Liverpool-i është udhëhequr në Ligë nga Mo Salah, i cili megjithëse formë të mirë edhe në Champions – ka dështuar që në këtë garë ta veçojë veten nga pjesa tjetër sulmuese. Sulmi ka qenë pika më e fortë e Liverpoolit, por të jashtëzakonshëm në këtë repart kanë qenë të tre sulmuesit, e madje edhe mesfushorët.
Por, pikërisht kësaj taktike mosvet ofenzive pritet t’ia shoh ‘sherrin’ Liverpooli i sontëm. Skuadra e udhëhequr nga Jurgen Klopp ka mangësi të vërejtshme në cilësinë e lojtarëve ndaj Real Madridit. Mbrojtja e saj bën gabime të mëdha, mesfusha nuk është aq kreative dhe nuk di se çka të bëj me topin – dhe e vetmja gjë që e bëjnë mirë, në fakt shumë mirë, është kundërsulmi.
Emrat si Milner, Henderson, Lovren, Karius, Arnold, Wijnaldum – e bëjnë skuadrën e Klopp që të mos mirret aq seriozisht. Ndërkohë që Real Madridi duket një skuadër shumë më kompakte dhe cilësore se Liverpooli. Ka një mbrojtje më të fortë, një mesfushë më kreative dhe më të organizuar dhe një sulm shumë më pragmatik.
Ish-trajneri i Kombëtares së Spanjës dhe Real Madridit, Vicente Del Bosque, tha që ndeshja do të kryhej 4 me 1 për ekipin e Zidane. Ky parashikim nuk është larg mendsh. Të gjithë kemi dëshirë të shohim spektakël – por në futbollin e pesë viteve të fundit, ekipet më të forta e kanë mbyllur hapësirën për befasi, dhe i kanë fituar të gjitha përballjet.
Zidane, veç kësaj, është një trajner që i ka fituar të gjitha përballjet finale – ndërkohë që Klopp në anën tjetër, i ka humbur pesë finalet e fundit. Një tjetër ogur i keq.
Cili do të jetë rezultati përfundimtar? 4-0 për Real Madridin. Pse? Sepse, ekipi i Zidane nuk do të jetë aspak i demotivuar siç mund të mendohet, e veç kësaj, do të ketë presion shumë më të vogël. Shtuar kësaj edhe ato që i përmendëm: taktikisht është shumë më i organizuar, dhe cilësia e përgjithshme e lojtarëve është dukshëm më e madhe. Liverpooli, në dijeni të hapësirave që lejon në mbrojtje kur e hapë lojën, do të provojë ta bëj një pjesë të parë të mbyllur – por meqë nuk është mjaftueshëm cilësore dhe as nuk ka përvojë në lojën defanzive, fati nuk do t’i ndihmojë dhe do të pësojë të paktën një gol në pjesë të parë. E gjendur në disavantazh, kjo skuadër do të hapet edhe më shumë, dhe Real Madridi nuk do të përtojë që ta dënojë.
Lojtari i ndeshjes pritet të jetë Cristiano Ronaldo ndërkohë që dështimi i ndeshjes, shkaku i pritjeve që i janë ngarkuar mbi shpinë, do të jetë Mo Salah./Periskopi



