Anglia – E paaftë edhe për të bërë befasi në Botëror
Kombëtarja e Anglisë nuk e ka fituar Botërorin në futboll që nga viti i largët 1966, kur i kishte në përbërje vëllezërit Charlton dhe legjendarët e tjerë, shkruan Periskopi. Gjasat e kësaj kombëtareje në Botërorin Rusia 2018, sipas bastoreve dhe komentatorëve të ndryshëm të këtij sporti, janë të vogla.
Kjo kombëtare vlen dikund 874 milionë euro sipas magazinës Transfermarkt.
Lojtari më i shtrenjtë, dhe më i mirë, i skuadrës së Garreth Southgate është Harry Kane. 150 milionë llogaritet kartoni i 24 vjeçarit të Spurs. Menjëherë pas tij është bashkëlojtari Dele Alli, që vlen 100 milionë. Pas tyre, janë Raheem Sterling dhe Marcus Rashford. Sidoqoftë, Anglia ka mangësi të vërejtshme në disa reparte, përfshirë portën, mbrojtjen dhe mesfushën.
Së fundi, Anglia luajti me një dyshe të çuditshme në qendër: Alli – Lingard. Të dy kanë tipare sulmuese dhe prapa tyre si shkatërrues qëndronte Eric Dier. Por, as njëri e as tjetri, nuk janë të dëshmuar për këtë pozitë.
Por, as në krahët e mbrojtjes Anglia nuk ka lojtarë shumë cilësorë që do të mund të konkurronin me kombëtaret më të forta. Së fundi, luajtën Trippier dhe Young, ky i fundit duke u zëvendësuar prej Danny Rose.
As në sulm Anglia nuk është aq cilësore, marrë parasysh që njëri prej lojtarëve kryesor të saj, Raheem Sterling, i ka shënuar vetëm 2 gola në 38 ndeshje.
Nuk ka mëdyshje se kjo është Anglia më e dobët që mbahet mend. As trajneri i saj, Garreth Southgate nuk është emër i dëshmuar në asnjë nivel. Southgate, ish reprezentues i Anglisë edhe si lojtar [57 ndeshje, 2 gola] e ka menaxhuar vetëm Middlesbrough-n më parë, duke bërë që ky klub të largohej nga Premier Liga. Pastaj, e udhëhoqi edhe Anglinë U-21 për tri vite, dhe tash e dy vjet, po është në krye të Anglisë.
Duket që pritje të mëdha për kombëtaren e tyre nuk ka as vetë federata e këtij vendi, duke qenë se pas largimit të Allerdyce-it nuk e zgjodhi një trajner më të denjë në vend të tij.
Anglia është në grupin G të Kupës së Botës, me Tunizinë, Panamanë dhe Belgjikën. Dy ndeshjet e para do t’i zhvillojë përballë dy të parave të përmendura në fjalinë e mësipërme, në Volgograd dhe Nizhny Novgorod. Nëse nuk ia del mbanë të arrij të paktën një fitore e një barazim në dy ndeshjet e para, gjërat do të jenë shumë të vështira në vazhdim. As Tunizia e as Panamaja nuk janë kombëtare të forta, madje shterpe edhe në mundësinë për të befasuar, e prandaj, Anglia duhet të fokusohet që të dalë e para në grup. Që nënkupton, se menjëherë lojtarët e Southgate do të jenë në një presion shumë të madh.



