Guardiola nuk i duron afrikanët – thotë legjenda e klubit të tij
Yaya Toure sapo është larguar nga Manchester City, ku e arriti kulmin e formës së tij si futbollist, filloi sulmet e njëpasnjëshme ndaj trajnerit Pep Guardiola, shkruan Periskopi. Së fundi, ai tha se katallani “ka probleme me afrikanët kudo që shkon” dhe që ai bëri gjithçka që t’ia “prishte” sezonin e fundit me Manchester Cityn.
35 vjeçari është trajnuar në dy raste nga Guardiola, së pari te Barcelona ku u shit te City, e më pas edhe te City, ku i kaloi dy sezone nën urdhërat e tij.
Toure i tha lamtumirë ‘qytetarëve’ nga Manchesteri pas tetë vitesh duke qenë se i skadoi kontrata. Ai kishte luajtur shumë pak gjatë vitit të fundit, në të cilin ekipi i tij e mori titullin e kampionit të Ligës me 100 pikë.
Në një intervistë për magazinën e njohur France Football, Toure tha që arsyeja pse Guardiola e trajtoi atë ndryshe mund të ketë qenë sepse ishte afrikan.
“Ai ishte mizor me mua. A mund të besoni që Barcelona t’ia bënte të njëjtën Iniestas? Fillova të mendoja mos e gjithë kjo kishte të bënte me ngjyrën e lëkurës sime. Dhe nuk jam i vetmi që flas për mënyra të ndryshme të trajtimit të tij të njerëzve. Njoh edhe të tjerë në Barcelonë që kanë menduar po të njëjtën gjë.”
Manchester City, shkruan Independent, nuk ka dashur t’i komentojë fjalët e Toures. /Periskopi



