Lista me trajnerët më të mirë dhe më të paguar në botë

Lista me trajnerët më të mirë dhe më të paguar në botë

Gazeta spanjolle “AS” ka publikuar sot një renditje të 11 trajnerëve më të paguar në botë, duke iu referuar pagave të tyre aktuale në klubet respektive, ku drejtojnë.

Patjetër, bëhet fjalë për emrat e spikatur të momentit, por edhe të dekadës së fundit në fushën e trajningut, Mourinho, Guardiola, Zidane e të tjerë, të cilët punojnë momentalisht nga Kina në Arabinë Saudite, por pjesa më e madhe e ushtrojnë zanatin e tyre në Europë, ku futbolli është më i bukuri, më konkurruesi dhe më i investuari financiarisht. Renditja më poshtë është zbritëse, nga i njëmbëdhjeti tek i pari.

11. Jorge Jesus (Al Hilal): Pas trajnimit tërë jetën në Portugali, sezonin e kaluar e tronditi Sportingun e Portugalisë. Jorge Jesus përballet me sipërmarrjen e tij të parë të madhe jashtë vendit. Portugezi është tashmë trajneri i Al Hilal në Arabinë Saudite, ku paguhet 7 milionë euro neto në sezon.

10. Antonio Conte (Chelsea): Trajneri italian, i cili nuk e ka konfirmuar ende vazhdimësinë e tij në stolin e bluve të Londrës, merr 13 milionë euro bruto në sezon nga puna që bën në “Stamford Bridge”.

9. Massimiliano Allegri (Juventus): Trajneri italian, i cili përflitet për të zëvendësuar Zidane te Real Madridi, duket i vendosur për të qëndruar në stolin e Juventusit, ku këtë vit ka fituar titullin e katërt radhazi dhe bashkë me të, 13, 5 milionë euro bruto në sezon.

8. Jurgen Klopp (Liverpool): Trajneri gjerman, i cili këtë sezon e ka çuar Liverpool në finalen e Ligës së Kampionëve dhe, gjithashtu, përflitet për të marrë stolin drejtues të Real Madridit, merr 14 milionë euro bruto në sezon, në “Anfield”.

7. Ernesto Valverde (Barcelona): “Txingurri” është bërë një nga trajnerët më të paguar, pas transferimit të tij në Barcelonë, ku në sezonin e tij të parë fitoi titullin e La Liga-s dhe Kupën e Mbretit. Valverde fiton 15 milionë euro bruto çdo sezon në klubin e “Camp Nou”.

6. Carlo Ancelotti (Bayern Munich / Napoli): Trajneri italian do të përballet me një sfidë të re në Napoli, sezonin e ardhshëm, pasi u shkarkua nga stoli i Bayern Munich. Në klubin bavarez, Ancelotti merrte 17 milionë euro bruto në sezon.

5. Pep Guardiola (Manchester City): Trajneri katalanas vazhdon të bëjë histori, pasi ka fituar një titull me rekord pikësh në Premier League, në krye të Manchester City. Po ashtu, në “Etihad”, Pep ka fituar edhe “Carabao Cup”. Ai merr rreth 20 milionë euro bruto në sezon.

4. Zinedine Zidane (Real Madrid): Trajneri francez ka lënë stolin e Real Madridit këtë qershor, pas fitimit të Champions-it të tretë radhazi. Kontrata e fundit, që Zidane kishte me klubin e bardhë raportohet rreth 21 milionë euro bruto në sezon.

3. Diego Pablo Simeone (Atlético de Madrid): “Cholo”, fituesi i këtij sezoni në “Europa League” me Atletico Madrid është trajneri më i paguar në La Liga. Argjentinasi fiton rreth 22 milionë euro bruto në sezon.

2. Marcello Lippi (Kinë): Trajneri veteran italian, kampion i botës me axurrët në vitin 2006, vazhdon aventurat e tij, edhe pse 70-vjeç. Lippi aktualisht drejton kombëtaren e Kinës, punë për të cilën merr 23 milionë euro bruto për sezon.

1. José Mourinho (Manchester United): Megjithëse rezultatet nuk e kanë shoqëruar këtë sezon me “Djajtë e Kuq”, trajneri portugez ka nderin të jetë trajneri më i paguar në botë. Çdo sezon, Mourinho merr rreth 26 milionë euro bruto, si drejtuesi teknik i skuadrës nga “Old Trafford”.

Shpërndaje në: