Albena Reshitaj flet për punësimin e kunatës në Kabinetin e saj

Albena Reshitaj flet për punësimin e kunatës në Kabinetin e saj

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, në një intervistë për Periskopin ka folur lidhur me raportimet për punësime familjare në kabinetin e saj në kuadër të dikasterit që ajo udhëheq.

Kohë më parë një portal i afërt me Rrahim Pacollin, bashkëpartiakun e Reshitajt, kishte raportuar se në Kabinetin e ministres, Andrra Pllana mban pozitën e asistentes ekzekutive. Pllana, njëkohësisht është kunata e ministres, pasi është e martuar me vëllaun e saj.

Në intervistën dhënë Periskopit, ministrja Reshitaj ka folur për herë të parë për këto raportime.

Ajo ka thënë se i lejohet që në kabinet të saj, të marrë njerëz të afërt, të cilët vinë nga partia e saj.

E si rrjedhojë, ajo pohon se nuk ka shkelur ligjin.

“Unë punoj me parimet që nuk dua të shkel ligjin, nuk dua të veproj diçka kundër parimeve të cilat i kam…sa i përket partiake, në kabinetin e ministres lejohen këshilltarët që vinë nga partia nga e cila vi unë, po edhe asistentet. Në Kabinetin e ministres duhet të jenë njerëz nga partia, nga e cila vi edhe unë. E ndërkohë ajo është bërë edhe kunata ime dhe absolutisht nuk ka asgjë të keqe që unë të kem një asistente, një njeri shumë të afërt edhe shumë të besueshëm, një njeri që më bëhet krah dhe më ndihmon, me asistencën time”, ka thënë Reshitaj për Periskopin.

Në raportimet e publikuara muaj më parë, thuhej se përveç kunatës, Reshitaj kishte angazhuar me punë në Ministri edhe vëllaun e saj.

E krejt këto raportime Reshitaj i ka cilësuar si tendencioze dhe të pavërteta.

E pyetur se si këto informacione rrodhën pikërisht nga mediumi i bashkëpartiakut të saj, Rrahim Pacolli, Reshitaj ka thënë se në media nuk duhet të ketë ndikime të tilla.

Ajo i tha Periskopit se në partinë prej nga vie ajo (AKR) nuk ka përçarje, por mund të ketë pakënaqësi, si çdo kund që ndodhë.

“Nuk e besoj që ka qenë i informuar ai se ai është vetëm udhëheqës, dikush tjetër e menaxhon dhe punon me atë. Ato kanë qenë të dashakeqëve, të cilët kanë dashur t’i vënë pluhur të gjithë aktiviteteve të Ministrisë. Në çdo parti politike ka mosmarrëveshje, ndonjëherë ka ndonjë pakënaqësi ose diçka e tillë. Çdo kund ndodhë”, theksoi Reshitaj./Periskopi

Shpërndaje në: