Gavazaj drejtë Belgjikës
Karriera e Enis Gavazajt do të vazhdojë në Belgjikë. Kjo bazuar në interesin e madh të shfaqur nga klubet e Jupiler Pro League. Oostende, Charleroi dhe një tjetër klub, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, kanë nisur garën për shërbimet e mesfushorit të krahut.
Djaloshi nga Prizreni ka qenë prej kohësh i vëzhguari special i klubeve nga liga të ndryshme europiane, për një transferim që pritet të konkretizohet pas paraqitjeve të tij në edicionin e kaluar të Europa League, ku Gavazaj shënoi edhe në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve përballë Young Boys. (07-12-17)
Me paraqitjet e bëra te Skënderbeu, 23-vjeçari është cilësuar prej kohësh si një prej xhevahirëve të klubit korçar në merkato, për të vazhduar politikën e promovimit dhe më pas të shitjes së talentëve shqiptarë në skuadra të ndryshme Europiane.
Nëse do të transferohej te Oostende, Gavazaj do të bëhej blerja e dytë kuqezi, pas sulmuesit Sindrit Guri, me klubin që kërkon të luftojë për zonën e kupave të Europës. Ndërkohë, Charleroi e cilëson mesfushorin si një përforcim për edicionin e ri, pasi e mbylli kampionatin dhe fazën play-off në vendin e gjashtë, duke mos arritur të sigurojnë një biletë në ndeshjet ndërkombëtare.
Nëse transferimi do të realizohet, për Enis Gavazajn do të bëhet fjalë për një rikthim në Belgjikë, aty ku nga viti 2013 deri më 2016-ën djaloshi nga Prizreni mbrojti ngjyrat e Gent, ndërsa për një sezon u huazua te Roeselare, përpara se të rikthehej te Skënderbeu dhe ti bindte të gjithë se është një lojtar i nivelit të lart.



