Trashëgimia e ndyrë e Real Madridit – Nga diktatori fashist, te gjyqtarët, transferimet e ‘egra’ dhe përçarja e Spanjës
Ngjarje dramatike kanë ndodhur në Madrid në dy muajt e fundit. Real Madridi e fitoi për të tretën herë radhazi titullin e Ligës së Kampionëve – që përbën një arritje të jashtëzakonshme për këtë ekip.
Por, ata e fituan trofeun e Ligës së Kampionëve përmes një varg gabimesh të gjyqtarëve, sidomos në ndeshjen përballë Juventusit dhe Bayern Munchenin, shkruan Periskopi. Ndërkohë që në finale, triumfuan pas dy gabimeve katastrofike të portjerit Karius, dhe lëndimit të Mo Salahut – lojtarit më të mirë kundërshtar [Liverpoolit].
Mirëpo, edhe përkundër këtij suksesi të madh, nga Madridi erdhi një befasi e madhe me trajnerin e saj, Zinedine Zidane, që dha dorëheqje. Shumë njerëz mendonin që Zidane në fakt nuk kishte ndonjë rol të madh në klub – duke qenë presidenti Perez, i përfshirë praktikisht në gjithçka.
Më pas kishim hidhërimin e Cristiano Ronaldos – për shkak të pagës, një gjë e cilë mund ta çojë portugezin në Manchester, te ‘djajtë e kuq’.
Ngjarja e fundit shokuese ndodhi në kombëtaren spanjolle, ku trajneri Lopetegui u shkarkua. Pse? Sepse ai një ditë më parë kishte pranuar të bëhej pasuesi i Zinedine Zidane-it te Real Madridi. Lopetegui nuk shquhet për një karrierë të mirë prej trajneri, por te Spanja, kombëtarja favorite për të fituar Botërorin, e ka rritur reputacionin e tij. Dhe Real Madridi, ndikoi që Spanja të përçahej. Ndoshta sepse donte ta merrte më lirë, para se Spanja të arrinte ndonjë sukses, Florentino Perezi ka ndikuar tashmë që gjasat e Spanjës në “Rusia 2018” të zvogëloheshin.
Se Real Madridi ka një trashëgimi të madhe të ‘ndyrësisë’ sportive nuk është e zorshme të vërehet. Ata e kanë pasur për dekada mbështetjen e madhe të diktatorit fashist, Franco, në Spanjë. Një periudhë në të cilën ata mbërritën të fitonin shumë trofe – mes të cilëve, edhe pesë herë Ligën e Kampionëve. Ata madje ia vodhën nga duart superyllin Alfredo Di Stefano, rivalit politik e sportiv, Barcelonës – i cili paraprakisht kishte nënshkruar për ta.
Ëhë. Kështu kishte ndodhur. Por, shpëtimi i klubit nga Madridi në tregun ndërkombëtar, është se tifozëve të futbollit nuk iu bën aq për historinë e politikën. Dhe kësisoj, ajo arriti ta përvjedhte të njëjtën mendësi të ndyrë edhe në futboll. “Los Blancos” prej viteve ’90 nuk pyetën për ‘fair-play’-ët financiarë, dhe për ligën, por iu turrën tregut të futbollistëve për t’i marrë më të mirët. Dhe kësisoj, sukseset e këtij klubi nuk munguan.
Mirëpo, sukseset e këtij klubi duhen parë me dyshim. /Periskopi



