LDK: Thaçi po frikësohet se opozita do të marrë shumicën në KQZ
Florian Dushi nga Lidhja Demokratike e Kosovës në “Express Intervistën” në KTV, ka thënë se ngritja e partisë së tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet nacionale ka frikësuar presidentin Hashim Thaçi që po shtyn emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së shkaku i përgjysmimit të përfaqësimit të pozitës.
Dushi ka sqaruar se nga gjashtë pozita në kryesinë e KQZ-së, koalicioni qeverisës do të ketë dy anëtarë, aq sa do të kenë edhe LDK-ja me VV-në, ndërsa gjashtë pozitat tjera do t’u takojnë partive joshqiptare.
“Ajo që ka dalë nga rezultati i zgjedhjeve del se koalicionit qeverisës u përgjysmohet përfaqësimi në KQZ-së sipas formulës së kushtetutës. Nga kjo frikë ka shtyrë Thaçin që të vonojë emërimin sepse opozita merr shumicën në KQZ-së. LDK-ja dhe VV do të jenë të përfaqësuar me dy anëtarë. Janë gjashtë anëtarë nga partitë shqiptare”, ka thënë Dushi që shtoi se presidenti ka kërkuar interpretim nga kushtetuesja lidhur me dy pozitat që do t’i mbajnë koalicioni në pushtet.
Nuk është hera e pare që anëtarët e KQZ-së të mbesin pa mandat, kushtetuta e përcakton si institucion të përhershëm. Presidenti nuk ka emëruar me arsyetimin se jemi futur në procesin e rregullt zgjedhur dhe ka afat 60 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, por ky është afati më i largët, presidentin askush nuk e ndalë që të emërojë anëtarët e KQZ-së dy apo tre ditë pas certifikimit të rezultateve. Arsyetimi i parë ka qenë se ishin zgjedhjet lokale. 27 marsi ka qenë afati i fundit kur Kosova është dashur të ketë KQZ-në funksionale. Po ballafaqohemi me diçka të re që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Është zvarritje e qëllimshme e presidencës e këtij procesi që është shumë me rëndësi”, ka thënë Dushi.
LDK-ja ka nominuar dy anëtarë të cilët i ka dërguar si propozime te presidenti i Kosovës. Ata kanë pranuar dhe konfirmuar këto propozime dhe kanë kërkuar që LDK-ja të plotësojë dokumentacionin shtesë sa i përket dy anëtarëve.
Por pritjet pas kërkesës për interpretim nga kushtetuesja Dushi ka thënë se janë të paarsyeshme, pasi Thaçi ka zgjedhur tashmë kryetarin e KQZ-së dhe të disa anëtarëve tjerë.
“Nëse është thënë se kemi kërkuar nga kushtetuesja për interpretim atëherë priteni kushtetuesen, merreni përgjigjen e saj, por kjo procedurë siç po shkon është i çuditshëm sepse një herë e patëm emërimin e kryetares, më vonë të disa anëtarëve, por tash përse dy anëtarë u emëruan nga PAN-i”, ka sqaruar Dushi.
“Qëllimi kryesor ka qenë zvarritja, dhe jo të pritet nga kushtetuesja për interpretim në një kohë që gjykata është jofunksionale. Nuk ka formulë tjetër për KQZ-në. Ka pasur tendencë që të hiqet akuza ndaj presidencës, por në anën tjetër t’i pamundësohet opozitës që të ketë shumicën në KQZ”, ka shtuar ai.
Departamenti për Çështje Juridike i Presidencës në një letër dërguar shefit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufcës, e njofton se Thaçi ka vendosur të emërojë grupin e parë të anëtarëve të KQZ-së dhe më datë 21 qershor në orën 10:00 do të bëhet betimi i grupit të parë të anëtarëve të këtij institucioni.
Në letrën e dërguar, të siguruar nga KosovaPress thuhet se sipas propozimit të grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Nazlie Bala radhitet e para, nga dy të nominuarit nga ky grup parlamentar, andaj e kanë ftuar të japë betimin.
“Ndërsa, lidhur me emërimin e grupit të dytë të anëtarëve të KQZ-së, do të pritet interpretim i nënti 139 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga Gjykata Kushtetuese, pasi që, Presidenti i republikës së Kosovës për të shmangur çdo dilemë se nga cilat grupe parlamentare duhet të emërohen anëtarët e KQZ-së, ka kërkuar interpretimin e këtij neni nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në letrën e dërguar Vetëvendosjes.
Për hapat e mëtejmë, në letër u është thënë se do të njoftohen me kohë.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje një ditë më parë ka reaguar në lidhje me mos konfirmimin e nominimeve nga ana e presidentit Hashim Thaçi të dy anëtarëve të KQZ-së të nominuar nga kjo parti.
Anëtari i deritanishëm i VV-së në KQZ, Adnan Rrustemi, i cili ishte i nominuar sërish nga partia e tij, nuk ishte thirrur nga presidenca, për t’u konfirmuar nominimi i tij si anëtar i KQZ-së.



