Kush është në të vërtetë Ismet Munishi, baba i futbollit të Kosovës?
Aktualisht po zhvillohet turneu i Kupës së Botës “Rusia 2018” dhe një ndër protagonistët e saj në hapësirën mediale kosovare, u bë edhe Ismet Munishi, analist, ish-trajner dhe ish-futbollist, shkruan Periskopi. Dje, Munishi u përfshi në një polemikë me babain e yllit të Belgjikës Adnan Januzajt, Abedinin – i cili tha për këtë të fundit që as nuk e njihte, dhe e akuzoi për joprofesionalizëm.
Në vitin 2014, Munishi e fitoi titullin e kampionit të Kosovës me ekipin e Vushtrrisë, dhe u vetëquajt “baba i futbollit të Kosovës”. Munishit mund t’i njihet merita edhe për nxjerrjen në dritë të talentit më të madh që doli nga futbolli i Kosovës në arenën ndërkombëtare, Milot Rashicës. Ky i fundit, debutoi në futbollin e të rriturve pikërisht nën urdhërat e Munishit, dhe në vitin 2015 e realizoi një transfer spektakular te skuadra e Vitesses në kategorinë e parë të Holandës. Aktualisht, 7shja e Kosovës luan në Bundesligë për Werder Bremenin.
Por, sukseset e mëtejme të Munishit kanë munguar në zejen e trajnerit. Pas Vushtrrisë, ai e trajnoi Dritën e Gjilanit, ku u bë pjesë e një skandali me një gjyqtar kosovar, ndërkohë që më vonë u caktua edhe si shef i shtabit teknik të Vëllaznimit dhe Ferronikelit.
Munishi në një deklaratë kishte bërë kritika të mëdha ndaj gazetarëve që nuk merreshin me ‘dallaveret’ që bëheshin në futbollin e Kosovës. Pas asaj deklarate dhe pas skandalit të tij sa ishte pjesë e Dritës, Munishi u hesht për një gjë të tillë, dhe tashmë zërat kritikë në drejtim të federatës kanë pushuar. Periskopi dje shkroi një artikull për kandidatin e vetëm për kreun e FFK-së, si pasues i Fadil Vokrrit, Agim Ademin – i cili është i akuzuar për zhvatje, korrupsion dhe kërcënim.
Munishi është 43 vjeçar i lindur në Gjilan, që karrierën si futbollist e nisi te Flamurtari i Prishtinës si mesfushor. Nga Flamurtari, në vitin 1996 ai realizoi një transferim mjaft të bujshëm te Maribori në Slloveni, në të cilin ka luajtur edhe në Ligën e Kampionëve dhe u bë kampion i Sllovenisë në vitin 1997. Pas Sllovenisë, Munishi kaloi në Turqi, te skuadra e Shekerspor (i njohur tash si Turanspor) në kategorinë e dytë, dhe luajti për një vit.
Nga ekipi turk, ai u rikthye në Slloveni te skuadra e Mura 05, ku luajti një vit dhe i bëri vetëm 7 paraqitje. Nga ky klub, ai u transferua ten ë ndër ekipet më me traditë në Slloveni, Olimpia e Ljubjanës, te i cili klub u bë nënkampion i vendit në vitin 2001. Munishi në Olimpia bëri 23 ndeshje dhe i shënoi tre gola në kampionat për dy vite.
Gjatë kësaj kohe, Munishi ishte huazuar te skuadra e Maccabi Herzilyas në Izrael, dhe te Korotani përsëri në Slloveni. Pas gjithë këtyre aventurave, ai ndërroi edhe një mori skuadrash tjera, përfshirë Laçin e Shqipërisë, Vorskla Plotavan e Ukrainës, Besën e Kavajës, për të ardhur krejt në fund e për të përfunduar karrierën në Kosovë, te Vëllaznimi i Gjakovës. /Periskopi



