The Guardian shkruan për Shqipërinë: Festivali i Kalasë, si në parajsë (Foto)
Rrëfimi në fjalë është i Will Coldwell nga gazeta The Guardian.
Se sa seriozisht e merrte ministri i turizmit festivalin e Kalasë – e para ngjarje ndërkombëtare e këtij lloji në vend – u bë e qartë në momentin kur zbarkuam nga anija në Sarandë për ta gjetur një eskortë të policisë duke pritur që të na shoqëronin për në vendin malor. Kjo dhe ardhja e kryeministrit Edi Rama të nesërmen, që e mbajti një konferencë të aty për atyshme me organizatorët në hotelin tonë.
“Shqipëria gjithnjë ka qenë e bukur,” tha ai, duke folur me një pishinë prapa vetes. “Por njerëzit e mendojnë si një vend ku do të plaçkiten a të vriten… por kjo stigmë na ka ndihmuar. Kur dikush na viziton dhe del i gjallë që këndej, ata e kuptojnë se është si parajsë! Është si molla e ndaluar: mos e kafsho ose do ta duash gjithë kohën.”

Sa i përket Kalasë? “Më duhet ta pranoj, nuk di kurrgjë për festivalin por, në princip, është fantastik,” tha ai, përcjell Periskopi.
Shqipëria nuk është në listën e vendeve më të vizituara të Evropës. Aty vijnë rreth 80 mijë vizitorë nga Britania e Madhe – një numër tepër i vogël krahasuar me fqinjin Greqinë, ku shkojnë për çdo vit rreth 3 milionë, apo në Kroaci rreth 765 mijë. Por kjo mund të ndryshojë.
Kalaja – një festival një javor që mbahet në qershor në resorin e Dhërmisë – mund ta çimentojë reputacionin e Shqipërisë si një vend fantastik me plazhe mahnitëse dhe si një vend ndejash. Për momentin, Dhërmia është pak e zorshme që të gjendet: duhet të fluturosh në Korfuz, e më pas për katër orë të tjera traget dhe autobus. Sidoqoftë, me aeroportin e ri që pritet të hapet në Vlorë [veç 50 kilometra nga Dhërmia] më 2020, qasja në këtë vend pritet të përmirësohet dramatikisht.

Për Kalanë, veç 2 mijë bileta ishin të lira, kështu që kishte hapësirë me bollëk në plazh, me ujin kristal të pastër, me restorante të lira etj.
Në festival kishte më së shumti muzikë elektronike. Njerëzit që e krijuan festivalin e Kalasë – Mainstage Travel – janë të njëjtit që krijuan festivalin e madh dimëror, Snowboxx. Tashmë është viti i tretë që mbahet. “Kemi kërkuar në Portugali, Kroaci, Kitali, Spanjë, Maltë e Marok por nuk mund të gjenim diçka të tillë,” më tha Alan Crofton, drejtori i festivalit. “Në tetor të vitit të kaluar, ne e vizituam Dhërminë për herë të parë dhe menjëherë pamë potencialin që e kishte.”

Shumica e njerëzve me të cilët fola e thanë të njëjtën gjë. “Më e mira ishte që thjesht jemi në një vend ku nuk kemi qenë më parë,” tha Rebecca, 27 vjeçare, nga Londra. /Periskopi



