Konfirmohet ndeshja e parë që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”

Konfirmohet ndeshja e parë që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”

Stadiumi i Prishtinës tashmë edhe zyrtarisht ka marrë emrin e legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Ish-kryetari i FFK-së ndërroi jetë më 9 qershor, derisa sot do të festonte ditëlindjen e 58-të të tij.

Pikërisht në këtë ditë, stadiumit i është vënë emri i legjendës së futbollit kosovar, derisa është konfirmuar edhe ndeshja e parë që do të luhet në këtë stadium.

Për nder të ditëlindjes së Vokrrit sot në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë do të luhet një ndeshje miqësore në mes të futbollistëve veteranë të FC Llapi dhe FC Prishtina, klube këto ku Vokrri e kishte nisur karrierën e tij.

Kjo u konfirmua sot nga kryetari i FFK-së Agim Ademi në konferencën për shtyp, përcjell Insporti.

Stadiumi “Fadil Vokrri” do t’i hapë dyert më datë 28 korrik, ku do të zhvillohet ndeshja testuese.

Në këtë konferencë, kreu i FFK-së Agim Ademi, konfirmoi edhe ekipet si dhe orën kur do të luhet kjo ndeshje, që do të jetë e para në stadiumin e rinovuar – njëkohësisht do të shërbejë si një testim i stadiumit.

Takimi i parë që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” do të jetë në mes të veteranëve të FC Prishtinës dhe veteranëve të Flamurtarit të Vlorës.

Kjo ndeshje do të luhet më 28 korrik, nga ora 20:00, derisa “ndeshja do të luhet për ta nderuar figurën e Fadil Vokrrit dhe për të testuar stadiumin”, sipas kreut të FFK-së.

Ademi konfirmoi se kjo ndeshje do të jetë ndeshje testuese e cila do të inspektohet nga delegatët e UEFA-s, ku ata do të inspektojnë këtë stadium në disa aspekte kryesore si qasja e shikuesve në stadium, sistemi i kontrollit të sigurisë, infrastruktura mediale, aspektet sportive dhe hapësirat e brendshme të stadiumit.

Federata e Futbollit të Kosovës ftoi të gjithë qytetarët të jenë prezent në ndeshjen testuese, ku biletat do të jenë falas. FFK bëri të ditur se për ndeshjen e testimit që do të zhvillohet më 28 korrik do të duhen të jenë prezent më shumë se 3 mijë shikues në mënyrë që të bëhet testimi në të gjitha aspektet nga UEFA.

Shpërndaje në: