Sulmuan gjyqtarin, por dënimi për Llapin është qesharak

Sulmuan gjyqtarin, por dënimi për Llapin është qesharak

Ky dënim për llapjanët vjen pas incidentit që ndodhi para disa ditësh në Merdarë në ndeshjen Llapi – Feronikeli, e cila ishte ndërprerë për shkak se dikush nga publiku e kishte sulmuar gjyqtarin, i cili edhe kishte pësuar lëndim serioz në këmbë, raporton “Zëri.info”.

Ajo ndeshje ishte regjistruar me rezultat zyrtar 3:0, ndonëse me rezultat të njëjtë veç ishte duke avancuar Feronikeli në momentin e ndërprerjes së lojës. Andaj, dënimi vetëm me një ndeshje pa shikues, duke e pasur parasysh peshën e incidentit, konsiderohet minimal për Llapin.

Ndërkohë, FC Prishtina është dënuar me 800 euro për shkak se tifozët e saj, në ndeshjen kundër Trepçës ’89, e kishin fyer në kor gjyqtarin dhe kishin hedh flakadanë e gjësende tjera në fushë.

Me 800 euro është dënuar edhe Liria për shkak se tifozët e saj kishin hedh gjësende të forta në drejtim të bankinës së Gjilanit. Kurse, zyrtari i Lirisë, Mithat Mahmuti, është dënuar me 6 muaj moskryerje të funksionit.

Ndërsa futbollistët e Gjilanit, Egzon Shabani e Isa Eminhaziri janë dënuar me tri, përkatësisht katër lojë, shkaku i sjelljeve të pahijshme ndaj gjyqtarëve.

Shpërndaje në: