Kosova debuton në Fadil Vokrri – Historia e stadiumit që u hap më 1953

Kosova debuton në Fadil Vokrri – Historia e stadiumit që u hap më 1953

Stadiumi i qytetit në Prishtinë e mori emrin e legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrrit pas vdekjes së papritur të këtij të fundit, që shërbente edhe si kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës [FFK].

Ky stadium aktualisht i ka 13 mijë e 500 ulëse dhe në orën 20:45, siç shkruan Periskopi, do të shenjojë debutimin e Kombëtares së Kosovës ndaj Ishujve Faroe në kuadër të Ligës së Kombeve.

Stadiumi nisi të ndërtohej në vitin 1951 dhe përfundoi më 1953, për t’u funksionalizuar për Klubin e Futbollit Prishtina. Viti i hapjes pra është 1953.

Kostoja e rinovimit ka qenë 9 milionë e gjysmë, dhe tashmë ka marrë dritën e gjelbër nga UEFA.

Gjatë viteve të arta të Prishtinës, sa ky klub bënte pjesë në Ligën e Jugosllavisë, në stadium merrnin pjesë deri në 40 mijë vetë.

Ky stadium u mbush në përmasa të mëdha edhe më 17 dhjetor të 2007-s kur erdhi reperi amerikan 50 cent, me 25 mijë vetë të pranishëm. Njësoj i mbushur ishte edhe më 15 korrik të 2012-s kur erdhi reperi shqiptar, Unikkatil.

Ndeshja e parë miqësore ndërkombëtare pas lufte, u luajt më 7 shtator të 2002-s, kur Kosova e priti Shqipërinë dhe humbi me rezultat 0-1.

Madhësia e fushës është 105×68. /Periskopi

Shpërndaje në: