Barcelona dridhet nga mesfusha madrilene: Kërkon me ngulm Pogban dhe Rabiotin

Barcelona dridhet nga mesfusha madrilene: Kërkon me ngulm Pogban dhe Rabiotin

Magazina e njohur kushtuar futbollit, Goal.com ka publikuar dy lajme së fundi në lidhje me Klubin e Futbollit Barcelona, përkthen në shqip Periskopi.

Klubi që ia pa hairin Lionel Messit tash e sa kohë, ka nevojë për mesfushorë të klasit më të lartë për të konkuruar me trembëdhjetë herë kampionët e Ligës së Kampionëve, Real Madridin. Mesfusha e “Të Bardhëve” ka rezultuar shpërthyese, duke treguar se mosprania e Cristiano Ronaldos as që vërehet në kampin e tyre.

Pas një vargu pensionimesh e largimesh në mesfushë, skuadra e Messit, Barça duket mjaft e brishtë në atë pozicion. Lojtari i vetëm që vlen është Sergio Busquets. Të tjerët mund të thuhet se janë nën nivelin e ekipit. Përfshirë edhe Rakitiqin.

Mundo Deportivo ka raportuar që mesfushori Adrien Rabiot tashmë ka vendosur t’i bashkohet Barcelonës sapo t’i përfundojë kontrata me Paris Saint-Germainin, me të cilën ka vendosur të ndërpres bashkëpunimin.

Por, the Mirror raporton se ethet e Barçës për mesfushën e saj të dobët i kanë detyruar katalanët të dërgojnë ‘skautët’ e tyre në çdo ndeshje që fituesi i Kupës së Botës e luan me ekipin e tij Manchester United.

Siç raportohet, Pogba nuk është rehatuar në Old Trafford, me përplasje të vazhdueshme me trajnerin karizmatik Jose Mourinho.

Barça raportohet se mund të ofrojë deri në 100 milionë euro për mesfushorin francez/Periskopi

Shpërndaje në: