Shaqiri u zëvendësua përkundër performancës së mirë, Klopp: “Nuk e besoj që ia kam humbur vetëbesimin”
Xherdan Shaqiri bëri një paraqitje mjaft të mirë për Liverpoolin ndaj Southamptonin në Anfield. Ky ishte starti i parë për Shaqirin, madje në pozitën e numrit 10, ku arriti të bënte punë mjaft të mirë, shkruan Periskopi.
Shaqiri ia doli mbanë që përmes një goditjeje të ndikonte në autogolin që e shënoi mbrojtësi i Southamptonin, Hoedt. Shaqiri goditi traversën pak më vonë nga goditja e lirë, pas së cilës, këmbshpejti Salah shënoi për 3-0.
Por, zvicerani u zëvendësua me të filluar pjesa e dytë me James Milner. Tifozët e Liverpoolit nuk e kuptuan një gjë të tillë – pasi Shaqiri po luante mirë. Por, duket se Klopp ka pasur ndërmend tjetërçka veç performancës së tij. Duke qenë se Shaqiri është shumë më kërkues dhe i turret portës, Klopp ka dashur t’i kursente energjitë e lojtarëve me një intenzitet më të ulët loje.
Dhe kështu ndodhi, Liverpool i pakësoi sulmet e saj. Ja çka tha Klopp pas ndeshjes i pyetur pse e largoi Shaqirin: “I kam shpjeguar se nuk e largova shkaku i performancës së tij. Nuk brengosem se do t’ia humbë vetëbesimin kjo gjë. Ai është nga natyra djalë me vetëbesim, dhe do të luajë përsëri. Është gjë e mirë.”



