Referendumi në Maqedoni dhe ndikimi i tifozëve të futbollit në të

Referendumi në Maqedoni dhe ndikimi i tifozëve të futbollit në të

Marrëveshja e arritur mes qeverive të Greqisë dhe Maqedonisë mbi emërtimin Republika e Maqedonisë së Veriut ra poshtë edhe nga votat popullore, pasi ligji që u miratua nga parlamenti u kthye mbrapsht edhe nga presidenti George Ivanov.

Raportimet e fundit tregojnë ndikimin e tifozëve të futbollit rreth referendumit, më saktësisht të Vardarit dhe PAOK-ut, transmeton Periskopi.

Pas shkëputjes nga ish-Jugosllavia shteti fqinj mbajti emrin Maqedoni, fakt i kundërshtuar me forcë nga Greqia, qarqet nacionaliste të së cilës pretendojnë se ky emër i përket kulturës dhe trashëgimisë greke e nuk mund të përdoret kurrsesi nga një tjetër shtet. Kundërshtimi që kanë ndaluar deri më sot aderimin e Maqedonisë në NATO dhe nisjen e procedurave për afrimin me Bashkimin Europian.

Pas dialogjeve të shumta, është arritur mes dy qeverive një marrëveshje për emrin e ri, Republika e Maqedonisë së Veriut. Janë pro saj vendet perëndimore dhe gjithashtu në bllok partitë shqiptare të Maqedonisë. Kundër është presidenti Ivanov dhe ambasada e Rusisë në Shkup. Miratimi i emrit shikohet si afrim i Maqedonisë me BE, ndërsa bllokimi do rriste influencën ruse në rajon.

Këtu hyn në lojë edhe futbolli, ose më saktë grupet e tifozerisë së organizuar në Shkup e Selanik. Sipas një artikulli të shkruar ditët e fundit nga gazetari James Montague, një emër i njohur i botës së futbollit në Greqi ka financuar tifozët e Vardar, konkretisht tifogrupin “Komitët” për t’u organizuar e protestuar kundër ndërrimit të emrit.

Tifozët e Vardar e konsiderojnë si tradhëti ndryshimin e emrit dhe disa herë kanë protestuar kundër marrëveshjes së dy qeverive. Gjithashtu në Selanik, veriun e Greqisë, protestat kanë qenë masive. Për ta emri Maqedoni është vetëm i kulturës greke dhe janë kundër përdorimit të tij nga një tjetër shtet. Në krye të protestave tifozët e PAOK.

Emri që fshihet pas financimit të dy tifozerive është Ivan Ignatyevich Savvidis, presidenti i PAOK Selanikut. I bërë i famshëm sezonin e kaluar kur hyri në fushë me pistoletë në brez për të kundërshtuar vendimet e gjyqtarit gjatë një ndeshje kundër AEK, Savvidis ka lindur në Gjeorgji kur kjo e fundit ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik. Pas shpërbërjes u bë i suksesshëm në tregtinë e duhanit dhe si pjesë e partisë Rusia e Bashkuar (pranë Putin) qe edhe deputet në Parlamentin rus. Deri në vitin 2012 kur vendosi të kthehej në vendin e origjinës, Greqi.

Ivan Savvidis bleu portin e Selanikut dhe u bë pronar i PAOK, duke u shndërruar shpejt në një hero lokal në qytetin verior të Greqisë. Për kronikën u bë i njohur me episodin e pistoletës sezonin e kaluar ndërkohë tani përflitet si financues i protestave kundër marrëveshjes së emrit.

Pronari i Vardar gjithashtu është rus, quhet Sergey Samsonenko dhe vjen nga qyteti i Rostov, aty ku me duhanin Savvidis u bë i pasur. Të dy nuk kanë pranuar të flasin me gazetarin Montague, ndërsa zëdhënësi i klubit maqedonas mohon të ketë lidhje mes dy biznesmenëve dhe tifogrupit “Komitët”./Periskopi/

Shpërndaje në: