As Shqipërinë e as Kosovën, Ismajli mund të synojë Kroacinë
Në mbrëmjen e djeshme bëri bujë të madhe refuzimi i ftesës së Kosovës nga Ardian Ismajli. Ky i fundit është kapiten i Kosovës U-21, por nuk pranoi ftesën e trajnerit Bernard Challandes t’i bashkohej skuadrës për ndeshjen ndaj Ishujve Faraoe. 22-vjeçari ishte i indinjuar për faktin se nuk u grumbullua që në momentin e parë nga numri një i stolit, prandaj nuk donte që të shkonte si “gur rezervë”.
Kosova e bindi Ismajlin të mos zgjidhte Shqipërinë duke i premtuar ekipin e parë. Fakti që nuk është grumbulluar nuk i ka pëlqyer futbollistit, pasi i duket sikur është prerë në besë.
Në kushte të tilla, Ismajli nuk e ka pranuar ftesën e Kosovës, pasi në rast se aktivizohej qoftë dhe 1 minutë ai do të “digjej” dhe nuk do të kishte mundësinë që të ndryshonte më skuadër. Ismjali tashmë ka lënë portën e hapur dhe për Shqipërinë.
Mbrojtësi është një element me prespektivë dhe pritet shumë nga ai. Ismajli luan momentalisht me ekipin e dytë të Hajduk Split-it, pasi nuk ka arritur të depërtojë në skuadrën e parë. Ka luajtur 2 ndeshje me skuadrën e dytë në formacion, ndërsa në skuadrën e parë ka qëndruar në stol për 5 takime.
Ismajli është rritur në Kroaci si profesionist, prandaj nuk përjashtohet mundësia që lojtari të synojë dhe kombëtaren kroate, por e ka thuajse të pamundur të depërtojë aty. Konkurrencë e frikshme dhe shqiptari nuk po ka vazhdimësi me Hajduk Split-in. Të shohim dhe të presim se çfarë do të ndodhë, mbase vendimi i tij për të mos pranuar ftesën e Kosovës mund t’i kthehet në “boomerang”, pasi niveli i kombëtares nuk e pranon merkaton e klubeve.



