I fejuari im, Khashoggi, ishte patriot dhe vetmitar

I fejuari im, Khashoggi, ishte patriot dhe vetmitar

Jamal Khashoggin [Lexo: Xhemajl Kashogi] e zateta sefte në një konferencë në Stamboll, gjatë muajit maj. I njihja të bëmat dhe punët e tij sepse kam interes t’i di ato që bëjnë vaki në Lindje të Mesme dhe në Rajonin e Gjirit. Bëmë muhabet nja gjysmë ore për çështjet politike. Jamali foli për transformimin e jashtëzakonshëm që po zinte vend në Arabinë Saudite, vendin e origjinës së tij, dhe qysh kjo punë e bënte të angështuar.

Më pas, i shkrova për ta falënderuar për bisedën tonë. E vazhduam llafin, që shpejt evoluoi e kaloi në një marrëdhënie emocionale. E admiroja personalitetin e tij: dijen dhe kurajën e tij për të ngritur pyetje politike për copën tonë të dynjasë. Ne u lidhëm edhe nga pasioni i përbashkët për demokraci, të drejta të njeriut dhe liri të shprehjes – parime fundamentale për të cilat luftoi ai.

Origjina e familjes së Jamalit ishte nga qyteti turk i Kayserit. Për më shumë se tridhjetë vjet, ai punoi si gazetar. Ishte reporter për Gazetën Saudite dhe për të tjera, redaktori më i mirë i Arab News dhe i gazetave Al Watan, udhëhoqi një rrjet televiziv, shkroi kolumne, dhe iu dha këshilla disa prej liderëve më prominentë dhe disa prej politikbërësve më të mirë të Arabisë Saudite – përfshirë Princin Turki al-Faisal, ish shefin e inteligjencës së vendit.

Ai udhëtonte shpesh rreth botës, por e donte Arabinë Saudite më shumë se çdo vend tjetër. E megjithatë, vendi i tij s’kishte vend për të, e kishte përzënë. Ai u largua nga Arabia Saudite me dy valixhe dhe në shoqërinë e intelektualëve dhe aktivistëve tjerë që kishin kritikuar Princin Mohammed bin Salman.

Por, Jamali ishte patriot. Kur njerëzit i referoheshin si disident, ai e refuzonte atë fjalë. “Unë jam një gazetar i pavarur që e përdor pendën e tij për të mirën e vendit,” do të thoshte. Ai iku nga Arabia Saudite sepse kjo ishte rruga e vetme që të shkruante e të fliste lidhur me çështjet dhe idetë për të cilat i bënte, dhe ta kryente një gjë të tillë pa bërë kompromis për dinjitetin e vet.

Në momente shqetësimi, ai do të mendonte për miqtë e tij të burgosur në Arabi, dhe i jepte ngushëllim vetes me fjalët, “të paktën unë mund të shkruaj lirshëm për momentin.” Ama ai kishte makthe, me zërat dhe siluetat e tyre. Kurdo që e thirrja në mëngjes, Jamali më thoshte se i çelej surrati nga zëri im. Pasi nuk dëgjova asgjë prej tij qe shumë ditë, tash e kuptoj më mirë domethënien e këtyre fjalëve.

Ajo që ishte më e vlefshme te Jamali ishte ndershmëria, zemërçeltësia e ngrohtësia e tij. Derisa po e njihnim njëri-tjetrin, nisa ta shihja jo vetëm si njeri të mençur, si një gazetar e mendimtar të mirënjohur, por edhe si një burrë sensitiv që ecte nëpër botë me lëngimin e dhimbshëm për shtëpinë dhe vendin e vet. Shpesh fliste për dëshirën e tij që të shëtitej sërish sokaqeve të Medinës, qytetin e lindjes dhe rritës së vet, dhe të kalonte orë të tëra duke kuvenduar me miqtë e atjeshëm.

Ai po jetonte e punonte në Washington, D.C., për më shumë se një vit. “Kjo jetë larg shtëpisë, familjes e miqve, dhe atmosferës shpirtërore të vendit tim, është një barrë shumë e rëndë,” më tha njëherë. Me të vërtetë, ndihej shumë i vetmiar: “E dashur Hatixhe, e kam shëndetin e gjithçka tjetër, por s’e kam askënd që të ndaj jetën time.” Gjithçka që donte nga partnerja ishte dashuria, respekti dhe shoqëri.

Dashuria dhe ëndrrat tona për një jetë së bashku e sollën atë nga Washingtoni në Stamboll, për t’i marrë dokumentet që i vyenin për t’u martuar me mua. Shpresa për të kaluar pjesën tjetër të jetës së bashku të lumtur e motivoi Jamalin që t’i hynte rrezikut e të shkonte në konsullatën saudite në atë pasdite të tmerrshme të 2 tetorit.

Unë e Jamali kishim shumë ëndrra, por më e rëndësishmja ishte që ta ndërtonim një shtëpi së bashku. Nganjëherë ai fliste për miqtë e tij në Shtetet e Bashkuara dhe se sa shumë kishte dëshirë që të më takonte mua me ta, pas martesës. Gati për çdo ditë thoshte se si donte të zgjohej në mëngjes duke e ditur se nuk ishte vetëm. Edhe pse përballej me kësi emocionesh të thella, Jamali kurrë s’i lodhi të tjerët me to. Ai gjithnjë provoi të mbetej po aq i fortë sa një mal.

Ai ishte i gëzuar në sabahun kur po shkonim në konsullatën saudite për të marrë një dokument që do ta certifikonte divorcin e tij. Vendosa të mos shkoja në universitetin tim atë ditë, dhe morëm rrugë së bashku për atje. Nuk kishte pasur asnjë parandjenjë për atë që do të ndodhte. Zyrtari i konsullatës, që e kishte informuar se dokumentet i kishte gati, i tha të ishte në konsullatë kah ora 1 pas dreke.

Derisa udhëtonim, i bëmë planet për pjesën e mbetur të ditës. Do të shkonim në pazar për të blerë gjëra për shtëpinë tonë të re dhe në darkë do të takonim miqtë dhe familjarët. Kur kishim mbërritur në konsullatë, ai hyri menjëherë brenda. Më tha t’i lajmëroja autoritetet turke nëse nuk dëgjoja asgjë për të nëse do të vonohej. Nëse do ta kisha ditur se kjo do të ishte hera e fundit që do ta shihja Jamalin, do të isha rrasur vetë brenda asaj konsullate. Pjesa tjetër është histori: Kurrë s’u kthye më prej asaj ndërtese. Dhe me të, edhe unë humba aty.

Që prej atëherë, kam menduar se unë e Jamali nuk jemi në të njëjtën dynja. Vazhdoj të pyes veten: Ku është ai? A është gjallë? Nëse është gjallë, si është?

Sot është ditëlindja e Jamalit. Kam planifikuar një aheng, i kam ftuar miqtë e tij më të ngushtë. Do të ishim të martuar deri tash, po të mos ndodhte ajo zhdukje.

Dymbëdhjet ditë kanë kaluar. Jam zgjuar nga jumi çdo mëngjes me shpresën se do të kisha lajme të mira prej tij. Spekulimet për fatin e tij nuk janë konfirmuar nga autoritetet, por heshtja e Arabisë Saudite më mbush me tutë. Ajo pyetje përndjekëse nuk më të qetë për asnjë minutë: A është e vërtetë? A e kanë vrarë Jamalin?

Nëse pretendimet janë të vërteta, dhe Jamali del se është vrarë me porosi nga Mohammed bin Salmani, ai veçse është bërë martir. Humbja e tij nuk është veç e imja por e shumë njerëzve me ndërgjegjje dhe me kompas moral. Nëse veç e kemi humbur Jamalin, atëherë vetëm dënimi i saj nuk mjafton. Njerëzit që e morën atë prej nesh, pavarësisht pozicioneve politike, duhet të mbahen përgjegjës dhe të dënohen sipas ligjit.

Ditët e fundit, kam lexuar raportime që thonë se Presidenti Trump dëshiron të më bëj ftesë mua për në Shtëpinë e Bardhë. Nëse ai bën një kontribut të çiltër në përpjekjet për të zbuluar se çka ndodhi brenda konsullatës saudite në Stamboll atë ditë, do ta konsideroj pranimin e asaj ftese.

Jamali ka folur kundër shtypjes, por ai e pagoi me kokën e tij kërkesën për liri për njerëzit sauditë. Nëse ai është i vdekur, dhe shpresoj që jo, mijëra Jamalë do të linden sot, në ditëlindjen e tij. Zëri dhe idetë e tij do të kumbojnë nga Turqia për në Arabinë Saudite, dhe në mbarë botën. Shtypja kurrë nuk zgjat përgjithmonë. Tiranët paguajnë për mëkatet e tyre. /NYT/Periskopi

*Hatice Cengiz, emri i pashqipëruar i autores

Shpërndaje në: