Nuk mund të marrim përgjegjësi për cilësinë e dobët të arsimit
Kosova që nga pas lufta ka përfituar projekte me vlerë dhjetëra milionëshe për ngritjen e cilësisë së arsimit. Njësoj, edhe organizatat jo qeveritare kanë përfituar miliona për trajnimin e mësimdhënësve dhe përmirësimin e arsimit. Por, gjendja mbetet e mjerë dhe e pashpresë. Këtë e konstatoi së fundmi hulumtimi shokues i Bankës Botërore për nivelin e nxënësve kosovarë. Njëra ndër OJQ që përfitoi miliona donacione për arsim është edhe Qendra për Arsim e Kosovës [KEC]. Por, drejtuesi i KEC’it, Dukagjin Pupovci nuk ndihet fajtor për këtë.
Në një intervistë për Periskopin, ai ka thënë se si organizatë joqeveritare bëjnë përpjekje për përmirësimin e cilësisë së arsimit, po që sipas tij, kjo cilësi është shumë më komplekse se përpjekjet e një organizate.
Ai thotë se projektet e tyre, ndonëse kapin vlerën e milionave, ua kanë mundësuar atyre që të punojnë vetëm me një pjesë të vogël të nxënësve dhe mësimdhënësve.
Periskopi sot gjatë ditës raportoi se në nivel vendi, KEC mbetet absorbuesja më e madhe e donacioneve për projekte që kanë të bëjnë me arsimin.
LEXO EDHE:
Në bazë të llogaritjes të vlerave të projekteve që janë publike, kjo Organizatë që nga pas lufta e deri më tani ka menaxhuar me mbi 43 milionë euro për përmirësimin e cilësisë së arsimit në vend.
Përveç këtyre, nuk është bërë publike vlera për disa prej projekteve tjera që janë implementuar nga kjo organizatë.
Lexojeni të plotë intervistën me drejtorin ekzekutiv të KEC-it, Dukagjin Pupovcin:
- Ju si Organizatë, një nga pikat kyçe të veprimit e keni edhe përmirësimin e cilësisë së arsimit, për çka edhe keni fituar projekte, vlerën e të cilave nëse e mbledhim del disa miliona. A ndiheni edhe ju fajtorë për këtë cilësi të dobët të arsimit në Kosovë?
Dukagjin Pupovci: Po, ne si organizatë joqeveritare që jemi, përpiqemi t’i kontribuojmë edhe përmirësimit të cilësisë së arsimit, aq sa mund të kontribuojë një organizatë me 30 të punësuar. Sigurisht që kemi gabime në këtë drejtim dhe nuk mund të ikim nga përgjegjësia për ato gabime, por cilësia e arsimit është shumë më komplekse sesa përpjekjet e një organizate joqeveritare. Më lejoni t’ua ilustroj me një shembull. Në dy vjetët e fundit i kemi pajisur rreth 150 klasa me televizorë SMART, ndërsa 8000 nxënësve dhe 500 mësimdhënësve ju kemi siguruar qasje gratis në një platformë me video edukative përmes të cilave mund të zhvillohet mësimi në klasë dhe të mësohet në shtëpi. Nuk ka dyshim se ky është një kontribut modest për përmirësimin e cilësisë, përmes shfrytëzimit të teknologjisë bashkëkohore. Megjithatë, në Kosovë janë rreth 400,000 nxënës, ndërsa ne, në këtë rast, kemi punuar vetëm me 2% prej tyre. Pastaj, ne mund t’i dërgojmë televizorët në klasa, t’u japim nxënësve dhe mësimdhënësve qasje në platformë, t’i trajnojmë për përdorimin e saj, por shfrytëzimi i kësaj mundësie mbetet çështje e vullnetit të tyre dhe çështje e organizimit brenda shkollës. Ne nuk mund të imponojmë asgjë, vetëm mund të ndihmojmë aty ku mirëpritet ndihma.
Prandaj, përkundër faktit se nuk jemi të kënaqur me efektet e punës sonë, nuk mund të marrim përgjegjësi për cilësinë e dobët të arsimit në Kosovë. Kemi realizuar dhe vazhdojmë të realizojmë projekte që sjellin përmirësim, por këto projekte duhet të bëhen pjesë e sistemit, e jo të harrohen pas përfundimit të tyre.
- Si Organizatë që synoni përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë, pse nuk keni reaguar pas publikimit të raportit të Bankës Botërore?
Dukagjin Pupovci: Dje (e hënë) na është kërkuar një prononcim në lidhje me këtë temë dhe e kemi dhënë. Interesime të tjera për prononcime nuk ka pasur.Raporti i Bankës Botërore nuk sjell ndonjë të re sa i përket cilësisë së arsimit. Nga rezultati i testit PISA ka qenë e qartë se nxënësit tonë 15-vjeçarë ngecin 3.5 vjet shkollimi në raport me nxënësit nga vendet e OECD. Banka Botërore e shpreh këtë ngecje pak më ndryshe, në raportet me vitet e pritshme të shkollimit deri në moshën 18 vjeç.
- A i keni evidentuar faktorët që po e pengojnë zhvillimin e sistemit arsimor në Kosovë dhe çfarë po bëni për t’i eliminuar ato pengesa?
Dukagjin Pupovci: Po, i kemi identifikuar. Janë në Planin Strategjik për Zhvillimin e Arsimit 2017-2021 të aprovuar nga Qeveria e Kosovës në dhjetorin e vitit 2016. Në hartimin e këtij plani kemi punuar bashkë me MASHT-in, komunat, institucionet arsimore, organizatat e shoqërisë civile, partnerët ndërkombëtarë dhe ky plan reflekton një lloj konsensusi rreth problemeve të arsimit dhe zgjidhjeve. I ka 7 objektiva dhe 240 masa strategjike. Tani, ky është plan shtetëror dhe zbatimi i tij i takon shtetit. Ka edhe kosto financiare prej rreth 180 milionë euro për 5 vjet, pra kërkon përkushtim të plotë nga shteti. Ne mund ta monitorojmë zbatimin dhe t’i japim kritikat tona gjë që e kemi bërë në vitin 2017 dhe po e bëjmë sivjet. Janë disa raporte që i kemi publikuar dhe promovuar në lidhje me gjendjen në arsim në dritën e zbatimit të Planitn Strategjik. Po ashtu, mund t’i bëjmë disa projekte të vogla që janë në frymën e Planit Startegjik, siç është rasti me projektin e pajisjes së shkollave me televizorë SMART të cilit ju referova më lartë. Në këtë pikë, Plani Strategjik parasheh pajisjen e 9,000 klasave me televizorë SMART, ndërsa ne, me mjetet që i kemi siguruar nga donatorët, kemi mundur t’i pajisim 150, pra nuk i kemi përmbushur as 2% të nevojave. Të tjerat mund t’i pajisë shteti nëse dëshiron ta zbatojë planin që e ka aprovuar.a
- A besoni se cilësia e arsimit në Kosovë mund të përmirësohet përmes trajnimeve që i mbani ju si Organizatë?
Dukagjin Pupovci: Pas shpalljes së rezultateve zhgënjyese të testit PISA, ka pasur mjaft kritika për joefektivitetin e trajnimeve, prandaj edhe dua ta shpjegoj këtë. Programet e trajnimit në Kosovë janë, kryesisht, programe ndërkombëtare ose të zhvilluara me ndihmë ndërkombëtare dhe ato implementohen nga organizata të shumëta vendore dhe ndërkombëtare. Shumica e këtyre programeve janë të akredituara nga Ministria e Arsimit. Jo të gjitha programet janë të orientuara kah cilësia e mësimdhënies – ka trajnime për të drejtat e fëmijës, parandalim të dhunës e të ngjashme.
Pjesëmarrja në këto trajnime është vullnetare dhe aty vinë mësimdhënësit e punësuar në shkolla, kryesisht në ditë të fundjavës. Bëhet fjalë për mësimdhënës të kualifikuar, me përvojë më të gjatë ose më të shkurtër të punës. Pra, këta njerëz sjellin aty një përvojë pune, nuk janë nxënës. Gjatë trajnimit, i cili është, kryesisht, 2-3 ditor, ata njihen me metoda të reja të mësimdhënies, me qasje të reja pedagogjike. Dikush i përvetëson më shumë, dikush më pak; një kategori shprehin më shumë interesim për shfrytëzimin e njohurive të trajnimit në klasë, të tjerët më pak. Unë lejoj mundësinë që disa trajnime të mos jenë cilësore, por atëherë, po supozoj se kjo do të reflektohej në fletëvlerësime të trajnimit që, zakonisht, përmbajnë nota të larta të dhëna nga pjesëmarrësit.
Ka vite që në Qendrën për Arsim të Kosovës, e cila zhvillon mjaft trajnime, kemi vërejtur se efektet e programeve të trajnimit nuk janë të qëndrueshme, se njerëzit po i përvetësojnë metodat, por një numër i konsiderushëm nuk po i zbatojnë ato në masë dhe në mënyrë të duhur. Kohëve të fundit i kemi shtuar trajnimeve edhe komponentën e monitorimit në klasë, me shpresë se kjo do të ketë ndikim pozitiv në zbatimin e njohurive.
Sido që të jetë, nevoja për trajnime do të jetë e vazhdueshme, pasi mësimdhënësit kanë nevojë për t’i freskuar njohuritë dhe shkathtësitë e veta. Tani duhet bërë më shumë kujdes që ato të reflektohen në rezultatet e nxënësve në klasë, duke punuar me shkollat edhe pas përfundimit të trajnimit, gjë që shumica e ofertuesve të trajnimit nuk kanë mundësi ta bëjnë./PERISKOPI



