E pranon Guardiola: Kam gabuar shumë me këtë futbollist
Pep Guardiola ka pranuar se ai mund të ketë gabuar me largimin e portierit, Joe Hart, në fillim kur mori drejtimin e Manchester Cityt.
Ish-numri 1 në portën e Anglisë, nuk u pëlqye nga Guardiola kur arriti në stadiumin Etihad, duke transferuar Claudio Bravon nga Barcelona për ta zëvendësuar atë.
Bravo pati një vit të luhatshëm dhe City bleu Edersonin e Brazilit, që sot është numri një në portën e klubit anglez.
Kurse Hart, u bë viktimë e Guardiolës dhe pësoi rënie drastike në karrierë, duke kaluar momente shumë të vështira.
Ai fillimisht u huazua për dy vite, te Torino në Serie A dhe West Ham United, para se të shitej krejtësisht te Burnley.
Pas më shumë se dy viteve, Guardiola thotë se mund të ketë gabuar me veprimin që mori.
“E di se sa e vështirë ka qenë për tifozët, për njerëzit. Ka qenë portier fantastik dhe ka pasur rezultate gjithashtu fantastike në këtë klub”, tha Guardiola.
“Nuk ishte aspak e lehtë për mua që të marrë atë vendim. E pranoj, kam marrë vendime të gabuara dhe të mira gjatë gjithë karrierës sime dhe nganjëherë mendoj me vete dhe them se ‘kam gabuar me Hartin’. Është si është puna – këto gjëra ndodhin”.




