Munishi për Periskopin: Flet për dallaveret, vjedhjet e lojtarëve nga kombëtaret dhe kur do ta shohim në punë si trajner
Analisti i njohur, Ismet Munishi ka folur për Periskopin rreth zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur në futbollin vendor.
‘Vjedhja’ e lojtarëve që ka ndodhur mes kombëtares së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ka zgjuar jo pak kritika për dy Federatat.
Njëri ndër ta është edhe Ismet Munishi, i cili për Periskopin ka theksuar se duhet të ketë koordinimin më të mirë nga të dyja Federatat përkatëse që këto gjëra të mos ndodhin:
”Duhet të ketë koordinim më të mirë mes 2 Federatave, jo të vidhen lojtarët në këtë formë, mendoj unë’, ka thënë ish-trajneri i shumë skuadrave të njohura kosovare.
Munishi gjithashtu tregon se ky rivalitet mes dy kombëtareve ka filluar para pesë ose gjashtë viteve:
”Si duket rivaliteti ka filluar moti. U bënë pesë ose gjashtë raste që ne i morëm lojtarët Shqipërisë dhe ata neve”.
44-vjeçari ka folur edhe për rastin e fundit, ku kapiteni i U21 të Kosovës, Ardian Ismajli la ‘Dardanët’ për t’u bashkuar me kombëtaren e Shqipërisë.
Dhe trajneri Munishi nuk e sheh tragjike këtë gjë, pasi sipas tij Kosova ka shumë opsione në mbrojtje, por thotë se mbrojtësi i Hajduk Split nuk u trajtua si duhet nga selektori Bernard Challendes:
”Ardian Ismajli nuk është respektu sa duhet nga selektori i Kosovës Challendes. Vendimin e tij nuk duhet ta marim shumë tragjik sepse jemi shumë mirë në mbrojtje”, vazhdoi ai për Periskopin.
Por a e ndjek Kosovën apo Shqipërinë, pasi në shumicën e rasteve dy kombëtaret luajnë në të njëjtin orar, Ismet Munishi tha:
”E shikoj paralelisht Shqipërinë dhe Kosovën. I njoh mirë të dyja ligat. Ndërsa futbollin evropian pak, vetem derbit i shikoj”.
Kur do ta shohim Ismetin duke drejtuar një skuadër në Kosovë:
”Do të rikthehem vetem kur të shoh ndonjë klub me projekt serioz. Te Besa bëra punë fantastike”, deklaroi Ismet Munishi për Periskopin. /Periskopi/



