Bayern me probleme të brendshme, katër lojtarë kundër trajnerit
Barazimi në shtëpi kundër rivalëve modestë të Freiburgut e thelloi krizën e Bayern Munichut, që renditet në pozitën e dytë në Bundesligën gjermane me 4 pikë diferencë nga kryesuesi Borussia Dortmund.
Ky barazim befasues e shtoi edhe më shumë presionin te Kovac, në sezonin e tij debutues te klubi bavarez, transmeton TCH.
E përditshmja gjermane Kicker shkruan se 4 lojtarë të skuadrës së parë: Mats Hummels, Arjen Robben, Franck Ribery dhe Thomas Muller janë të zhgënjyer me metodat e trajnerit kroat dhe kanë kërkuar shkarkimin e tij.
Minutazhi i lojtarëve në fjalë këtë sezon është reduktuar nga Kovac, për shkak të rotacioneve të shpeshta.
Ajo që shqetëson më shumë tifozët dhe drejtuesit është mungesa e lojës dhe gabimet elementare në prapavijë. Shumëkush mendon se yjet e ekipit bavarez janë në vitet e fundit të karrierës, por ka të tjerë që mendojnë se trajneri kroat nuk është në lartësinë e kampionëve të Gjermanisë.
“4 fantastikët” janë pagëzuar lojtarët e revoltuar për drejtimin e Niko Kovac. Thomas Muller, Mats Hummels, Arjen Robben dhe Franck Ribery e kanë ngritur zërin në hierarkinë drejtuese, duke kërkuar ndryshime sa nuk është vonë.
Në fundjavë, në Bundesligën gjermane Bayerni do të luajë ndaj Dortmund dhe një humbje potenciale do të përkthehej në diferencë 7 pikë.
Para sfidës me verdhezinjtë, bavarezët luajnë në Ligën e Kampionëve, ndaj AEK-ut të Athinës.



