Real Madridi mendon rikthimin e ‘Bukuroshit’ që së fundi u ftua nga Spanja
Mario Hermoso, që në shqip mbiemri i bën Bukuroshi, po kalon momente të mira te skuadra e Espanyolit ku u shit para një viti nga Real Madridi.
23 vjeçari është bërë lider i skuadrës së dytë nga Katalonia, dhe së fundi mori ftesë të merituar në kombëtaren spanjolle nga ish trajneri i Barçës, Luis Enrique.
Hermoso ka dalë nga akademia e Los Blancos, e cila vazhdon të shpërfillet nga klubi. Duhet që një talent i këtij ekipi të kalojë në një ekip tjetër për t’u rikthyer më pas te klubi amë. E njëjta mund të ngjajë edhe me mbrojtësin e talentuar 23 vjeçar.
Forma e mbrojtësit spanjoll e bën të mundur rikthimin e tij te Real Madridi, ku zanatin e trajnerit po e ushtron – deri më tash me mjaft sukses – Santiago Solari, ish trajner i akademisë që së fundi e angazhoi edhe Sergio Reguilonin. 7,5 milionë Euro parashihet vlera e këtij futbollisti – i cili, nuk do të ishte i pari që transferohet nga Espanyoli në Real Madrid.
Madrilenët vazhdojnë të kenë marrëdhënie shumë të mira ndër-ekipore me klubit katalan, duke i dhuruar falas, ose si huazim, e më pasë blerë shumë futbollistë të akademisë. Mund të përmendim vetëm Lucas Vazquezin, Jose Maria Callejonin dhe Marco Asension ndër të tjerë.



