Llapi fiton derbin dhe fundosë shpresat e Dritës për titull, Liria po rikthehet
Llapi e ka mposhtur Dritën 1-0 të shtunën në Podujevë, duke ia shkaktuar humbjen e dytë më radhë në Ipko Superligën e Kosovës pas një ecurie të suksesshme prej pesë fitoreve të njëpasnjëshme.
Kampionia në fuqi e ligës elitare kosovare, Drita vinte nga një humbje befasuese ndaj Lirisë një javë më parë, por dështoi të këndellej ndaj Llapit në udhëtim pasi u mposht 1-0 dhe tani ngel tetë pikë mbrapa tij në renditjen tabelore.
Për pjesën më të madhe të takimi, skuadra vendase ishte më e mirë dhe krijoi më shumë. Dominimi i Llapit u shpërblye me golin që doli të ishte i tri pikëve dy minuta para përfundimit të pjesës së parë, kur Festim Alidema realizoi.
Llapi tani ka 29 pikë në vendin e tretë, katër më pak se lideri Prishtina që ka një ndeshje më pak të zhvilluar dhe tetë më shumë se Drita në vendin e katërt.

Ndërkohë, në takimin e dytë të javës së 15-të të zhvilluar sot, Liria e mposhti Flamurtarin 1-0 në Prizren, duke e regjistruar fitoren e dytë radhazi pas asaj ndaj Dritës një javë më parë.
Liria ngjitet në pozitën e 10-të me 16 pikë, aq sa ka edhe Trepça ’89 në të nëntën. Flamurtari mbetet i pesti me 22 pikë./Periskopi/



