Brexit përzë lojtarët e huaj: Arsenal, United e City bien nga liga, Liverpool e Spurs luftojnë për titull
BREXIT duket se do të godas fort Premier Ligën e Anglisë, me Federatën Angleze që po mundohet të arrijë një marrëveshje me Qeverinë për t’iu dhënë leje të lëvizjes dhe leje pune lojtarëve joanglezë, shkruan Periskopi.
Por, BBC bëri të ditur se Qeveria ka kërkuar që të ketë një minimum lojtarësh anglezë në skuadra në mënyrë që të ngritet më shumë prodhimi vendor i lojtarëve.
‘Eksporti’ i lojtarëve anglezë është tepër i vogël, me shumë pak lojtarë që luajnë në liga të tjera përveç Anglisë. Ndërkohë që spanjollët, gjermanët, italianët dhe sidomos francezët kanë vërshuar gjithandej.
Padyshim, ekipi më i mirë anglez me lojtarë anglezë është Tottenham Hotspurs. Aktualisht golashënuesi më i mirë i skuadrës është Harry Kane, superylli anglez. Por, skuadra e Pochettinos ka edhe të tjerë lojtarë të mirë si Kieran Trippier, Eric Dier, Dele Alli dhe Harry Winks. Problem për Spurs është porta, ku nuk ndodhet asnjë portier anglez dhe mbrojtja.
Pesë ekipet e tjera të Premier Ligës ndodhen aq keq sa do të mund të kishin telashe edhe për të mbetur pjesë në ligën më të fortë në botë.
United ka mbrojtësit e shumëkritikuar Jones dhe Smalling, dhe veteranin Ashley Young. Në mesfushë e ka vetëm Jesse Lingardin. Ndërkaq në sulm e ka talentin Marcus Rashford, përcjell Periskopi.
Arsenali e ka veç Rob Holdingun në mbrojtje. Në mes të fushës s’e ka askënd, sepse Maitland Niles 21 vjeçar, është fare i papërvojë. Dhe në sulm e ka Danny Welbeckun.
Chelsea e ka në mbrojtje veteranin Gary Cahill, në mesfushë njeriun që s’po arrin të futet as në bankë, Danny Drinkwaterin dhe Ruben Loftus-Cheekin, ndërkaq në sulm ASKËND.
City i Guardiolas e ka Kyle Walkerin dhe John Stonesin në mbrojtje. Fabian Delphit në mesfushë dhe Raheem Sterlingun në sulm.
Liverpooli ndërkohë i ka disa lojtarë mesatarë në ekip, si Nathaniel Clyne, Joe Gomez, Trent Alexander-Arnoldin, James Milnerin, Jordan Hendersonin, Alexander Oxlade-Chamberlainin, Adam Lallanan dhe Danny Sturridge. /Periskopi



