Takimi me Putinin – tregues i një pajtueshmërie globale për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për Periskopin, pas ngjarjeve të fundit në Paris, ku mori pjesë në shënimin e përvjetorit të 100’të të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, jep detaje nga takimet me liderët botërorë: Donald Trump, Angela Merkel, Emmanuel Macron, Vladimir Putin…Thaçi në këtë intervistë flet për dialogun me Serbinë, nevojën e unitetit të skenës politike në Kosovë. Flet për qëndrimet e PDK’së karshi ideve specifike në dialog, si ajo e kufijve, qëndrimin e Kadri Veselit, Ramush Haradinajt, opozitës në Kosovë e në veçanti LDK’së.
Ilir Mirena/Periskopi: Një nga çështjet më të komentuara nga vizita juaj në Paris, pra pjesëmarrja në përvjetorin e 100’të të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ishte vendi juaj, pozicioni juaj atje. Si u gjendët i renditur në atë pozitë?
Hashim Thaçi: Ka qenë kënaqësi dhe nder i jashtëzakonshëm që si përfaqësues i Kosovës të jem në shënimin e përfundimit të 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore.
Kur kemi parasysh ku kemi qenë para 100 vitesh si Shqipëri dhe tash, kur në atë kohë Kosova s’ka qenë as në hartën politikës të Evropës dhe tash një shtet i ri i nderuar dhe i respektuar në mesin e shteteve të botës. Është një nderim që iu ka bë shtetit të Kosovës, jo personit në fjalë, institucionit të Presidentit. Nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë hapësirë për konspiracion.
Në asnjë rrethanë nuk ka pasur lobim, gjëra të tilla nuk shkojnë në protokollet e shteteve, Franca është numër një sa i përket respektimit të protokollit, ka qenë vendim i autoriteteve franceze që secili lider të ulet aty ku i është caktuar. Kam marrë pozicionin ku më është vendosur nga protokolli francez. Ka qenë një nderim por edhe mesazh për shtetin më të ri të Evropës.
Ilir Mirena: Kush e aranzhoi takimin me Putin?
Takimet kanë qenë të aranzhuara në kuadër të takimeve me liderët botëror në Paris. Takimi i parë ka qenë me Macron, ai mbështet Kosovën, në të ardhmen ai edhe do të mund ta vizitojë Kosovën dhe e kam ftuar.
Protokolli i tyre është duke e shqyrtuar mundësinë për këtë vizitë. Takimi tjetër ka qenë me presidentin Trump, jemi takuar në darkë dhe në drekë, ka deklaruar shumë qartë se mbështet marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, një marrëveshje gjithëpërfshirëse me obligime ndërkombëtare, ku përfshihet edhe njohjen reciproke, bile ka deklaruar drejtpërdrejt: mbështes 100 për qind arritjen e marrëveshjes.
Ilir Mirena: A mund të jepni më shumë detaje rreth takimit. Çka folët përtej asaj që keni bërë të ditur deri tani?
Jo në nivele të tilla nuk diskutohen. Që marrëveshja të jetë obligative për të dy vendet nuk është diskutuar në detaje, por arritjen e marrëveshjes dhe mundësinë e lëvizjes përpara. Pastaj takimi me Merkel, edhe kancelarja Merkel ka mbështetur arritjen e marrëveshjes.
Ilir Mirena: Takimi me presidentin rus Vladimir Putin. Një pyetje që kërkon përgjigje, përveç asaj lidhur me bisedën që zhvilluat është edhe ajo se kush e aranzhoi këtë takim?
Hashim Thaçi:Takimi me Putin ka qenë i pa-ndërmjetësuar nga askush. Në rrethanat e ceremonisë në Paris, jemi takuar.
Aty kemi qenë të përfaqësuar vetëm liderët e shteteve përkatëse dhe në momentin kur është përmbyllur procesi i ceremonisë, jam afruar e kam përshëndetur, iu kam prezantuar, më ka thënë se është një çështje delikate dhe duhet të jem i kujdesshëm, pastaj kanë qenë takime tjera që dëshironin ta përshëndesnin presidentin Trump dhe Putin.
Pastaj ka vazhduar dreka, kur kemi pasur mundësinë në një ambient më të qetë, më të koncentruar rreth bisedës, e kam pyetur shumë drejtpërdrejt në rast të arritjes së marrëveshjes paqësore, që arrihet njohja reciproke, ai më ka thënë se ‘nëse ju arrini marrëveshje, unë dhe Rusia do ta mbështesim këtë proces’.
Pra me këtë rast, duhet të nënkuptojmë se kemi një pajtueshmëri globale për arritjen e marrëveshjes Kosovë – Serbi, e para pikë e marrëveshjes: njohja reciproke, de fakto dhe de juro, tjetra çështje është zëvendësimi në preambulë të marrëveshjes i Rezolutës 1244 dhe pastaj anëtarësimi në OKB. Ky proces nuk do të jetë i lehtë, e shoh një arrogancë dhe zemërim të Beogradit, liderët e tyre kanë qenë në periferi të eventeve të organizmit në Paris, është punë e tyre, sa i përket Kosovës, takimi mes presidentit të Kosovës dhe Rusisë ka qenë një diçka e munguar për institucionet e vendit tonë.
Ne nuk kemi qenë armiq dhe as miq nuk mund të bëhemi në rrethana të tilla, por a mund të kemi raporte korrekte mund të kemi. Kosova nuk është cenuar dhe as nuk ka humbur prej këtij takimi, Kosovën nuk e pengon raporti tradicional i Rusisë me Serbinë, por nëse Kosova ndërton raporte korrekte atëherë mirë është edhe për Serbinë edhe për Kosovën edhe për stabilitetin në rajon.
Sa i përket përcaktimit, nuk ka figurë, nuk ka personalitet që devijon përcaktimin tim dhe të shtetit të Kosovës për anëtarësim në BE dhe NATO.
Kemi diskutuar me partnerët tonë më herët për këtë takim, që është mirë të ketë një takim të tillë, por ka pasur një periudhë të heshtjes dhe në momentin që ka ndodhur natyrisht që është mirëpritur nga qendrat kryesore vendimmarrëse botërore.
Ilir Mirena: Si po shkojnë negociatat me Vuçiqin?
Hashim Thaçi: Nuk jemi afër marrëveshjes por jemi në fazën finale për rrugën e gjetjes së marrëveshjes gjithëpërfshirës e ku do të përfshihen shumë gjëra: personat e zhdukur, pronat, shëndetësia, edukimi, jemi duke shkuar hap pas hapi. Mendoj se me themelimin e ekipit qeveritar ku do të angazhohet edhe opozita besoj që procesi do të dinamizohet dhe do të marrim një kahje në përafrimin e dinamizmit për arritjen e marrëveshjes.
Ilir Mirena: A ka ekspertë të angazhuar, pra që po diskutojnë lidhur me detajet e marrëveshjes?
Hashim Thaçi: Në nivel presidentësh flasim për kornizën në aspektin e procesit, fenomenit por edhe të orientimit të arritjes së marrëveshjes.
Sa i përket substancës dhe detaleve tash ekipet qeveritare do të kenë mundësi të themelojnë nja 10-12 ekipe profesionale. Pres që Kuvendi të nxjerr një rezolutë shpejt, të krijohet një ekip me bazë sa ma të gjerë politike, të ndërtohet koncepti për secilën çështje.
Ilir Mirena: A jeni optimist se do të ndodh kjo?
Hashim Thaçi: Definitivisht po. Unë shoh vullnet të mirë edhe te partnerët e koalicionit që janë në qeveri dhe shumica e liderëve të skenës politikës opozitare.
Ilir Mirena: Një nga debatet, që prej kur ka nisur pra faza përfundimtare e dialogut, është se a do të ketë shkëmbim territoresh? Pra, a do të ketë shkëmbim territoresh?
Hashim Thaçi: Finalja do të jetë marrëveshje gjithëpërfshirëse me pika të shumta, me substancë edhe implementuese që do të ndikojë në jetë më të mirë të njerëzve në Kosovë dhe Serbi. Që do ta afrojë edhe Kosovën dhe Serbinë drejt Bashkimit Evropian, ndërsa Kosovën edhe me anëtarësim ne OKB dhe njohjet nga pesë vendet e BE’së, sidomos edhe pas qëndrimit të Rusisë që do ta mbështes këtë marrëveshje, që është një sinjal që ka munguar që nga viti 2007.
Çështja e njohjes së kufijve reciprok do të jetë një nga çështjet që do të diskutohet në kuadër të ekipit të ekspertëve nga Kosova dhe Serbia me ndërmjetësim ndërkombëtar.
Ilir Mirena: Që i bie që do të ketë një rivizatim apo çfarëdo emri që ti vëmë?
Nuk dua të flas në detale sepse nuk dua të krijoj keqkuptime por nuk ka njohje reciproke mes dy shteteve pa njohje të kufirit.
Ekipet që do të krijohen, jo kjo qeveritare, por një ekip shtetërore, nga shoqëria civile, bota akademike, në mënyrë që procesi të jetë transparent. Ashtu si e kemi përmbyllur me Malin e Zi do ta përmbyllim edhe me Serbinë. Por pa njohje të kufijve ndër shtetëror nuk mund të imagjinojmë që do të kemi njohje reciproke.
Ilir Mirena: Kundërshtar i hapur i kësaj ideje është kryeministri Ramush Haradinaj?
Hashim Thaçi: Ai ka qenë kundër edhe demarkacionit me Malin e Zi dhe i dimë pasojat që ia ka shkaktuar Kosovës për tri vite. Ia ka sjell imazhin më të ulët për 30 vitet e fundit të luftës për pavarësi.
Duke qenë i keqinformuar dhe pastaj duke e akceptuar, duartrokitur dhe derdhur lot, në momentin kur është aprovuar vendimi për demarkacion me Malin e Zi, kështu që nuk dëshiroj të komentoj sa i përket çështjes së vijave kufitare por ajo që dëshiroj të them është se Qeveria është në favor të dialogut, të arritjes përfundimtare.
Ilir Mirena: Por Qeveria po kundërshton çfarëdo mundësie të koncesioneve me Serbinë, ndërkohë e kemi një vendim që pronat publike t’i heqin nga administrimi AKP’së dhe të lihen në kompetencë të komunave në veri?
Hashim Thaçi: Unë mbështes Qeverinë në punë sikur kam mirëkuptim në kërkesat të opozitës. Pozicioni im është i balancuar, nuk do të jem favorizues as për pozitën as opozitës. Shoh disa zëra opozitarë të përgjegjshëm që po afrohen gjithnjë e më tepër se duhet të përmbyllet ky proces një herë e përgjithmonë.
Marrja e autoritetit të AKP’së nga Qeveria mendoj se është hap i pamenduar mirë, i paqëlluar dhe në kundërshtim ligjor, për çka unë kam proceduar në Gjykatën Kushtetuese. Një kërkesë e tillë, ka qenë nga Serbia edhe në vitet 2005-2008 edhe në procesin e negociatave për statusin politik në Vjenë, e kemi refuzuar. Ka qenë kërkese edhe në vitin 2013, e kemi refuzuar.
Ky vrull dhe entuziazëm me i bartë pronat shoqërore në pronësi të komunave, është një qasje që nuk do të duhej të ndodhte.
Kam kërkuar një sqarim institucional, përveç sqarimeve individuale të Qeverisë që nuk pajtohen me ato çështje.
Ka një heshtje. Dua të shpresoj se do të ketë reflektim të anulimit të atyre vendimeve nga Qeveria. Nëse ato vendime mbeten në fuqi dhe fillojnë të implementohen, atëherë është fillimi i zbatimit të idesë së Serbisë për Republika Srpska në Kosovë, në një formë apo tjetër.
Nuk komentoj vendime të Gjykatës por janë vendime të gabuara të nxituara dhe me motiv të bërjes së Kosovës xhepa –xhepa.
Ilir Mirena: Zoti Thaçi, kryetari i PDK’së dhe bashkëudhëtari juaj politik, zoti Kadri Veseli, deri tani nuk ka qenë decidiv në atë se a është pro ose kundër idesë tuaj për kufijtë. Si e shpjegoni paqartësinë e tij për këtë?
Hashim Thaçi: Jam në kontakt të vazhdueshëm me partnerët e koalicionit, kemi bashkuar energjitë për Interpol, vizat, ushtrinë, dialogun me Serbinë. Të gjithë pa dallim partnerët në qeveri e mbështesin dialogun.
Tash deklarimet politike poshtë e lartë, janë çështje tjetër por zoti Veseli ka qenë në krye të përgjegjësive institucionale dhe politike.
Nuk ka qenë e udhës pozicionimi pro ose kundër. Dua të them se të gjithë duan që ky dialog të mbyllet sa ma shpejtë dhe të ketë njohje mes Kosovës dhe Bruksel.
Beteja me Serbinë zhvillohet në Bruksel nuk zhvillohet në studio televizive as me ide akuzuese ndaj njëri – tjetrit. Unë kryej obligimet e mia kushtetuese dhe ligjore. Të gjithë po kryejnë obligimet e veta, kam mandatuar kryeministrin, ai kryen punët e veta, opozita kryen punët e veta, por një gjë është e sigurt, Kosovës i duhet uniteti, vetëm të bashkuar mund të përballemi me aparatin shtetëror të Serbisë.
Ilir Mirena : Zoti President, a nuk e ndjeni një pjesë të fajësisë, sa i përket dialogut, duke qenë se shpesh interpretohet se e keni nis i vetëm dhe kjo prej shumëkujt është interpretuar si dëshirë e juaja për protagonizëm, është interpretuar se ju do të jeni i vetmi dhe i vetmi që ta shtyni këtë?
Jo unë kam kry obligimet e mia ligjore kushtetuese dhe kjo natyrisht më sjell kokëdhimbje më sjell rritje të angazhimeve që ndoshta nuk do të dëshiroja t’i kisha por kam obligim kushtetues dhe ligjor që unë të takohem me presidentin e Serbisë.
Tash ne duhet të funksionojmë si shtet, duhet të funksionojmë me ligje, nuk mund të funksionojmë me Kanun, ligje dhe si fise, nuk mund të dialogojmë me Serbinë dy milionë njerëz, nuk mund të shkojnë përfaqësuesit e lagjeve tona por do të shkojnë bartësit e institucioneve të Republikës së Kosovës. Unë nuk frikësohem dhe nuk ndihem inferior për t’u ballafaquar me Serbinë, kushdo që të jetë ai. Kam kaluar të gjitha gjeneratat e politikanëve të Serbisë tash e tri dekada prej njerëzve të Millosheviqit, Miluteniviq, Koshtunica, Tadiq e Daçiq e deri te ky i fundit, Vuciq. Kemi mbështetjen e SHBA’së dhe gjithë partnerëve mbështetës të lirisë dhe shtetit të Kosovës prandaj nuk kemi nevojë të frikësohemi nga dialogu me Serbinë. Kjo status quo është regres për Kosovën, një konflikt i ngrirë me Serbinë është i rrezikshëm për Kosovën dhe rajonit. Nuk do të ketë kufi në baza etnike, nuk do të ketë shkëmbim të popullatave sikur që është përfolur për një spastrim etnik, që është qesharak. Kosova nuk e çelë as mshelë Kutinë e Pandorës.
Ilir Mirena: LDK historikisht ka qenë një parti që në procese të tilla ka qenë kooperuese, si e shpjegoni agresivitetin dhe sulmet që vinë nga akterët e LDK’së. Ditë më parë, Avdullah Hoti e quajti aktivitetin tuaj me një term ‘tradhti kombëtare..?’
Hashim Thaçi:Ok. Nuk dëshiroj të komentoj deklarata të tilla, le të jetë në ndërgjegjen e tij edhe ai e di që nuk është ashtu, po ai i takon një profile të lartë akademik dhe e ka vlerësimin shumë të thellë dhe largpamës e di që nuk është pozicion i LDK’së.
LDK e mbështetë dialogun dhe të arrihet marrëveshja. Ka pasur dhe ka traditë të mirëkuptimit të dialogut, pajtimit mes shteteve tona. Zoti Mustafa dhe unë kemi marrë pjesë në shumë procese. E ritheksoj liderët e partive politike duke nisur nga kryetari Veseli kanë pas rol aktiv dhe pozitiv, zoti Mustafa ka qenë produktiv me mesazhe e tij në dialog. Zoti Limaj ka pranuar me marrë përgjegjësi dhe me u sfidu gjë që duhet vlerësuar. Tash Qeveria nuk duhet ta djegë atë dhe me bë ndërskamca dhe mos me nda mjete për me i themelu ekipet negociuese. Shoh një reflektim edhe nga partitë tjera opozitare që dëshirojnë me lëvizë këtë punë sa ma shpejt aq më mirë.
Intervista e plotë në VIDEON më poshtë:



