Fadil Vokrri lajmërohet nga qielli: Azerbaixhani ishte ekipi më i fortë, duhet të shkojmë në Evropian
Ish-presidenti i ndjerë i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, e kishte parashikuar saktë se fituesi i Grupit 3 në Ligën e Kombeve do të vendosej në ndeshjet direkte mes Kosovës dhe Azerbajxhanit.
Kështu edhe doli, Kosova ishte nikoqire e Azerbajxhanit në ndeshjen e fundit dhe përcaktuese të Grupit 3 të Ligës D, në stadiumin që mban pikërisht emrin e tij, legjendës së futbollit shqiptar, të martën mbrëma, shkruan Gazeta Express.
Kosova triumfoi 4-0 ndaj azerëve duke e fituar Grupin dhe u promovua në Ligën C, si dhe siguroi një vend në play-off për kualifikime në Kampionatin Evropian Euro 2020.
Legjenda Vokrri fatkeqësisht vdiq më 9 qershor, pak muaj para se të niste Liga e Kombeve më 6 shtator, duke mos qenë në gjendje ta vazhdojë projektin madhështor që vet e nisi në vitin 2016 duke i ndihmuar vendit të anëtarësohet në UEFA dhe FIFA.
Megjithatë, puna e madhe e tij u shpërblye nga djelmoshat verdhekaltër.
Në kohën kur ishte hedhur shorti, Vokrri ishte shfaqur i kënaqur por kishte paralajmëruar për rrezikun që do të mundë t’ia shkaktonte Azerbajxhani Kosovës.
”Shorti, në shikim të parë, është i mirë, së paku në letër. Nëse i marrim këto dy skuadrat (Maltën dhe Ishujt Faroe), mendoj se mund të përfundojmë më mirë se këto”.
”Por, mendoj se Azerbajxhani është ndër skuadrat më të forta dhe duke u bazuar në rezultatet e tyre në kampanjën e fundit, është skuadra më e fortë nga katër grupet e Ligës D”.
”Mendoj se do të jetë e vështirë. Gjithçka do të vendoset në ndeshjet direkte duke marrë parasysh se vetëm vendi i parë vazhdon tutje, por ne do të mundohemi të fitojmë me eksperiencën nga kampanja e kaluar dhe shpresoj se do të renditemi në vendin e parë”, kishte thënë Vokrri



