Arrestohet portieri i njohur shqiptar, pak ditë para derbit të madh – po i jepte makinës i dehur

Arrestohet portieri i njohur shqiptar, pak ditë para derbit të madh – po i jepte makinës i dehur

Një lajm tronditës vjen në kampin e Partizanit, pak ditë para derbit të javës së 15-të në Kategorinë Superiore, që “demat” luajnë ndaj Tiranës.

Është portieri i ekipit, Alban Hoxha, që është arrestuar ditën e sotme nga policia, për drejtim mjeti nën konsumin e alkoolit, dhe “Panorama” mëson se ai gjendet në një nga komisariatet e kryeqytetit.

“Policia Rrugore arreston në flagrancë tre shtetas për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Nga shërbimet e Policisë Rrugore u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– D. A., 25, vjeç banues në Tiranë, pasi në rrugën “Isuf Elezi”, u kap nga shërbimet e policisë rrugore duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin.
– L. L., 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën e “Kavajës”, u kap duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin.
– A. H., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën e “George W Bush”, u kap duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin.
Materialet në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.”-njofton policia.

Vetë 31-vjeçari, mungoi javën e fundit ndaj Flamurtarit, por rikuperimi dukej se po shkonte mirë, dhe do të ishte gati për takimin e ditës së premte ndaj Tiranës.

Tashmë mbetet për t’u parë si do të shkojë kjo çështje në lidhje me gardianin e “demave”, që vetëm 2 ditë më parë festoi ditëlindjen, nëse do të jetë i gatshëm për Gegën në derbi.

Shpërndaje në: