Dua Lipa me fondacion humanitar për nëna dhe fëmijë
Përmes një kumtese për media bëhet e ditur se këngëtarja e re kosovare, Dua Lipa, që njihet edhe si filantrope dhe themeluese e fondacionit “Sunny Hill”, do të bashkohet në ngjarjen bamirëse “Le të mbështesim nënat dhe fëmijët e Kosovës”, për të ndihmuar në ndërtimin e marrëdhënieve të reja midis komunitetit filantropik të Kosovës dhe atij të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për të rritur ndërgjegjësimin ndaj përmirësimit të cilësisë së jetës së nënave dhe fëmijëve në Kosovë.
Richard Lukaj, Bekim Ahmetaj, James C. Strickler, Michael Gold, Haki Abazi dhe Fadil Berisha janë disa nga personalitetet tjera që do t’i bashkohen kësaj nisme, transmeton “Zeri.info”.
Këngëtarja Dua Lipa, një koncert me kauzë të ngjashme mbajti edhe në verën e këtij viti në Prishtinë, ku të gjitha paratë që u mblodhën nga shitja e biletave të koncertit të saj që u mbajt në parkun e Gërmisë do përdorën për projekte që ndikojnë në jetën e të rinjve të Kosovës.
Aksioni për Nëna dhe Fëmijë është fondacion humanitar që i përkushtohet shpëtimit të jetës së fëmijëve dhe nënave në Kosovë.



