Ramos me deklaratë interesante për rikthimin e Jose Mourinhos
Kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos kërkoi respekt për trajnerin e tanishëm Santiago Solari pasi ai u përballë me pyetjet të premten nëse Jose Mourinho mund të ri-bashkohet me klubin në të ardhmen pasi u shkarkua nga Manchester United.
Mourinho, i cili u shkarkua nga United të martën, kaloi tre vite të jashtëzakonshme me Realin midis 2010 dhe 2013, duke fituar titullin e La Ligas me një rekord prej 100 pikësh, duke shënuar 121 gola, si dhe duke fituar Kupën e Mbretit, përcjell Periskopi.
Megjithatë, portugezi pati probleme me tifozët dhe klubin, me Ramos që ishte ndër të parët që shpërtheu me kritika kundër tij.

Raportimet e fundit shkruanin se presidenti Florentino Perez ka kontaktuar Jose Mourinhon për një rikthim të mundshëm në ‘Santiago Bernabeu’.
”Mourinho na la pesë vite më parë, por gjithkush vazhdon të flasë për të. Njerëzit duhet të tregojnë më shumë respekt ndaj trajnerit që kemi tani”, tha Ramos në një konferencë shtypi përpara finales së Kupës së Botës të FIFA-s kundër Al Ain të shtunën.
”Unë nuk jam personi që vendos se cili trajner vjen këtu, disa njerëz duket se mendojnë se kapitenët vendosin se cili trajner do të caktojë Real Madridi”. /Periskopi



