Këta janë të gjithë tradhtarët që i thonë JO Kosovës dhe Shqipërisë
Kombëtarja e Kosovës në futboll nisi garat ndërkombëtare në vitin 2016. Shqipëria një gjë të tillë e bën që nga viti i largët, 1930.
Të dyja këto kombëtare i përcjellim me shumë përkushtim tash e sa kohë, duke qenë se njohim vështirësitë e mëdha nëpër të cilat kemi kaluar. Dhe sukseset e nganjëhershme na bëjnë shumë krenarë, shkruan Periskopi.
Sporti nuk është më veç një tip kulture që argëton. Sporti, e në veçanti futbolli, shpalos identitetin kombëtar dhe vlerat e ndryshme të lojtarëve, ekipeve dhe grupeve.
Por, pavarësisht historisë së dhimbshme dhe lëngimit për një të ardhme më të mirë, e për krenari, shumë lojtarë e kanë tradhtuar vendin e tyre të origjinës.
Po iu sjellim këtu disa prej rasteve më të tmerrshme, duke marrë për frymëzim raportimin se edhe ylli i lindur në Prizren, Elvis Rexhbeqaj kishte refuzuar edhe Kosovën por edhe Shqipërinë, shkruan Periskopi.

Valon Behrami
Aktualisht në fund të karrierës, me 33 vjet dhe si lojtar i Udineses në Serie A. Shqipëria e kishte kontaktuar disa herë dhe kishte provuar ta merrte në vitet 2003-2005. Ai luante për ekipin e madh italian, Genoa por emër kishte bërë me Veronën.
Përveç kësaj, ai hodhi akuza në drejtim të FFSH-së se i kishin kërkuar para, edhe pse nuk e kishte evidencuar kurrë një gjë të tillë.
Me Zvicrën ai i bëri 83 ndeshje e 2 gola, për t’u pensionuar me detyrim nga trajneri Petkoviq.

Përparim Hetemaj
Rasti i Hetemajt është edhe më i dhimbshëm. Legjenda e Chievos nga Verona, që shumicën e kohës ka luajtur në Serie A, ka zgjedhur një kombëtare edhe më të dobët se Shqipëria. Bëhet fjalë për Finlandën, e cila kurrë në historinë e saj nuk ka ditur të luajë në këtë sport.
Sidoqoftë, futbollisti nga Skënderaji i bëri 49 ndeshje dhe i shënoi 4 gola për Finlandën në tetë vite paraqitje.

Xherdan Shaqiri
Shaqiri e ka rikthyer vëmendjen kah vetja pas kalimin në Liverpoolin e Kloppit. Deri tash ai është paraqitur në 15 ndeshje dhe i ka shënuar 6 gola. Për tri vite rresht ai luajti në Stoke-on-Trent te Stoke City, ku i shënoi 15 gola në 84 ndeshje. Shaqiri poashtu i ka thënë JO Shqipërisë, e më pas edhe Kosovës kur kjo e fundit u pranua në UEFA dhe FIFA.
Për Zvicrën ai ka bërë 22 gola në 78 ndeshje.

Granit Xhaka
Xhaka i vogël ishte bërë Xhaka i suksesshëm në familjen e tij. Ai ia doli të kalonte nga Baseli në Borussia Monchengladbach e më vonë edhe në Arsenal. Deri tash, i ka bërë 70 ndeshje dhe 10 gola për ekipin kombëtar të Zvicrës. Por, sukseset e tij dhe të zviceranit tjetër të lartpërmendur ia kanë heshtur refuzimet që këta dy lojtarë i kanë bërë ndaj Kosovës dhe Shqipërisë.
Për ta përforcuar hipokrizinë, vëllai i tij që për nga niveli është shumë më i dobët, Taulanti, luan në kombëtaren e Shqipërisë veç pse nuk ia doli të luante për Zvicrën.

Riza Durmishi
Durmishi e ka nisur në mënyrë të jashtëzakonshme karrierën e tij me Brondbyn. Pastaj luajti edhe me Betisin në Spanjë, dhe tash luan me shqiptarë të tjerë në Lazio ku nuk po ka aq shumë sukses. Durmishi ka zgjedhur Danimarkën para Shqipërisë dhe Kosovës.
Deri më tash për ekipin e tij kombëtar ai ka bërë 22 ndeshje pa arritur që të shënojë gol.

Adnan Januzaj
“Thuaj PO Shqipërisë” thoshte fushata gjithë kombëtare për ta bindur 18 vjeçarin e asokohshëm të Manchester United, Adnan Januzajn që ta zgjedhte Shqipërinë. E shpërfilli gjithkënd. Por më pas, u shpëfill nga vetë klubi i tij.
Anësori i lindur në Bruksel, tashmë luan për Real Sociedadin ku nuk po i ecë mirë. Së shpejti do të bëhet 24 vjeçar dhe me këso paraqitjesh, mund të bie edhe më shumë.
Dhe, pasi i ra niveli, Kosova u pranua në garat ndërkombëtare e prandaj mendohej që së paku ai do t’i thoshte PO Kosovës. Nuk e bëri.
Për Belgjikën qe 5 vjet, ai ka bërë veç 10 ndeshje e një gol.

Shani Tarashaj
Tashmë 23 vjeçari Tarashaj mund të konsiderohet një talent i çuar dëm. Ai kaloi në Everton në vitin 2016 por nuk bëri asgjë të hajrit. Sivjet është huazuar në Grasshoppers ku ka bërë veç 3 ndeshje gjithë vitin.
Ai ka refuzuar Kosovën dhe Shqipërinë për Zvicrën, në të cilën kombëtare ka luajtur veç 5 herë pa shënuar gol.

Albian Ajeti
Albiani është sulmues fantastik që ka arritur të shënojë shumë gola në kampionatin zviceran. Ndoshta, është lojtari më i mirë aktualisht në Superligën e Zvicrës. Por, e mira e tij mbetet në fushën e blertë. Ai ka zgjedhur përfundimisht Zvicrën, edhe pse i vëllai i tij, Arlind Ajeti, luan për Shqipërinë.
Në 3 ndeshje për Zvicrën ai e ka realizuar një gol.
*Shumë lojtarë të tjerë janë ende në pritje, përfshirë Arton Zekajn e Lille që është mes Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë.



