‘Quaje veten me fat nëse do të vazhdosh të luash me djalin tënd në kopësht!’, historia e dhimbshme e Cazorlas
Viti 2013, Spanja luante miqësore luksi me kombëtaren e Kilit, por do të ishte fatale për karrierën e mesfushorit Santi Cazorla.
Ky i fundit sapo ishte transferuar bujshëm në Premier Ligë, më saktësisht te Arsenali, shkruan Periskopi.
Por ajo miqësore do të shëndërrohej në ankth për pesë vitet e ardhshme për karrierën e tij.
Cazorla pësoi një lëndim gjatë ndeshjes, por doktorët i thanë që do të rikuperohej shpejt: ”Do të kthehesh shpejt”.
Askush nuk e kishte imagjinuar se ai lëndim në këmbë do të shoqëronte tërë karrierën e tij në vijim.
Tetë operacione, por sa herë zbriste në fushë dhe mendonte se ia kishte kaluar, ai lëndim i mallkuar zgjerohej sërish dhe ai pësonte infeksion të vazhdueshëm.
Në sezonet vijuese, Cazorla paraqitet shumë rrallë në fushë, duke u kthyer nga një transferim i bujshëm në një dështim.
Spanjolli tashmë kishte marrë diagnozën e saktë, futbolli për të do të mbetej vetëm ëndërr. Doktori i tha: ”Quaje veten me fat nëse do të vazhdosh të luash me djalin tënd në kopësht!”
Ky lajm ishte fatal për të. Ajo ëndrra e madhe për të qenë një futbollist i madh do të shuhej aty, por jo në trupin e Cazorlas.
Ai vazhdon të stërvitet fuqishëm dhe nuk dorëzohet asnjëherë, sepse për të futbolli është më shumë se sa një lojë.
Operacione dhe lëndime, një binom që do të zgjaste pafundësisht për të.
Në vitin 2018, Cazorla rikthehet aty ku e nisi, te Villarreal, me shpresën që do të rikuperohej plotësisht dhe ta vazhdonte atë që e kishe lënë në gjysmë.
Fillimi i sezonit nuk është i përkryer për të, por me kohën dhe besimin e madh që ai posedonte, gjithçka do të përmirësohej.

Cazorla, 34 vjeçar, i shënoi dje dy gola ndaj Real Madridit dhe festoi i heshtur. Ndoshta, mendja te ai mjek që i tha se nuk do të luante as në kopshtin e shtëpisë së tij. Gaboi rëndë, gabuam të gjithë. Mirë se u ktheve Santi! [Pjesë të shkëputura nga Telesport] /Periskopi



