Tifozët e Reali i vënë pseudonim qesharak Gareth Bale
Gareth Bale nuk ka gëzuar asnjëherë simpati te mediet spanjolle, të cilat nuk e kanë kursyer aspak atë që në pikënisje konsiderohej një “yll” i padiskutueshëm i Real Madridit.
29-vjeçari uellsian, që shpesh ka ekzaltuar shkallët e stadiumit me performancat e tij, është sërish në radhët e të dëmtuarve dhe rikthimi i tij te “galaktikët” projektohet të ndodhë jo më parë se 19 janari, datë në të cilën Reali do të përballet me Sevillan.
Dëmtimi në pulpë i të enjtes ndaj Villarrealit bëri që Bale të linte fushën në mes të takimit që u mbyll në barazimin 2-2, duke zbehur kështu shpresat e madrilenëve për të arritur liderët e Barcelonës në La Liga.
E përditshmja spanjolle “AS”, por jo vetëm, kanë gjetur një pseudonim të ri për ish-“yllin” e Tottenhamit, duke e pagëzuar atë pa mëshirë si njeriu i kristaltë dhe njëherazi duke numëruar të gjitha dëmtimet e tij që nga mbërritja në “Bernabeu”.
Edhe pse mund të tingëllojë e pabesueshme, ky në të vërtetë përkon të jetë dëmtimi i 22-të për Gareth Bale që nga kalimi i tij për shifrën e 88 milionë funteve në vitin 2013 te Reali. Jo vetëm kaq, por, fatkeqësisht, kjo është hera e 8-të që ai pëson dëmtim në të njëjtin vend, pra në pulpën e këmbës.
I pafati Bale ka humbur plot 84 ndeshje me Realin për shkak të dëmtimeve, çka përkon me thuajse dy sezone të plota pa luajtur, kohë që mund të shtrihet edhe më shumë në rast se nuk ia del të rikthehet për sfidën me Sevillan.
Nga ana tjetër, Bale numëron 23 ndeshje këtë sezon me Realin, me kontribut direkt në 14 gola në të gjitha garat, 10 prej të cilave mbajnë firmën e tij, ndërkohë që ka ndihmuar për realizimin e katër të tjerëve me asistimet e tij.
Greth Bale apo “Njeriu i Kristaltë”? Kjo është “dilema” e tifozëve të Real Madridit.



