‘Çartet’ trajneri i ekipit anglez: Liverpool është ekip pa asnjë pikë nderi

‘Çartet’ trajneri i ekipit anglez: Liverpool është ekip pa asnjë pikë nderi

Trajneri i Cardiffit, Neil Warnock, ka thënë se Liverpooli nuk ka kokërr ndershmërie e as klasi, për shkak se klubi i tij nuk arriti ta transferojë mbrojtësin Nathaniel Clyne nga ‘Të Kuqtë’.

Trajneri i Cardiffit pohoi se Liverpooli i kishte premtuar atij se do t’ia huazonte mbrojtësin e djathtë, por më vonë e kishte zbuluar përmes televizorit se ai ishte shitur në Bournemouth të premten.

Warnock ia kishte mundësuar Clynes debutimin profesional në Crystal Palace në vitin 2008 dhe tani e ka kritikuar edhe ish-lojtarin e tij.

“Ta mësosh këtë në televizor, duke ditur se unë kam bërë gjithçka siç duhet dhe se ata më patën premtuar se këtë javë ai do të ishte lojtari im, ta shpifë më të vërtetë. Është e turpshme. Çfarë zhgënjimi, çfarë mungese e klasit, quajeni si të doni”, tha Warnock i zemëruar.

“Çfarë zhgënjimi sepse e njihja Nathanielin… nuk mora asnjë telefonatë nga ai e as nga Liverpooli. Kur pret dhe i bën gjërat siç duhet, mendoj se meriton respekt dhe nuk ma ha mendja se ata na respektuan neve”, shtoi ai.

Anglezi Clyne debutoi sot për Bournemouthin në humbjen e tij 3-1 ndaj Brighton në FA Cup.

Ndërkohë, Warnock pohoi po ashtu se ai e kishte humbur mundësinë për t’i transferuar tre lojtarë për shkak se kishte qenë në pritje të kompletimit të marrëveshjes për Clyne.

Shpërndaje në: