Mustafa shpreh përkushtimin e Qeverisë për përkrahjen e sportistëve
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se gjatë takimit me delegacionin e KON-it të kryesuar nga Ching Kuo Wu, i cili është edhe president i Federatës Ndërkombëtare të Boksit (AIBA), Mustafa e ka falënderuar për përkrahjen e jashtëzakonshme të KON-it për Kosovën duke theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e sportit Kosovar.
Të pranishëm në takim ishin edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, fituesja e Medaljes së Artë në olimpiadën e Rios, Majlinda Kelmendi, kryetari i KOK-ut, Besim Hasani e zyrtarë të tjerë të sportit vendor e ndërkombëtar.
Gjatë takimit u bisedua edhe për avancimin e mëtejmë të sportit në Kosovë si dhe për motivimin që ekziston te të rinjtë e Kosovës pas Medaljes së Artë të fituar nga Majlinda Kelmendi në Olimpiadën e Rios.
Përfaqësuesi i KON-it, Ching Kuo Wu, shprehu përkrahjen e mëtejme për sportet kosovare duke e vlerësuar përkushtimin e shtetit të Kosovës në këtë drejtim.
“Pa përkrahjen e juaj Kosova nuk do të mund të merrte pjesë në Lojërat Olimpike ku shpalosi vlerat e saj duke arritur edhe fitoren e Medaljes së Artë nga Majlinda Kelmendi”, është shprehur Mustafa.



